Ndërlidhjet

logo-print

Para disa ditësh, në rajonin e Mitrovicës, është konfiskuar një sasi e konsiderueshme e barnave - 6890 paketime me nga 30 tableta të llojit Aspirinë.

Fenomeni i kontrabandës me barna po vazhdon.

Zyrtarë në Doganat e Kosovës thonë se barnat si produkte, mund të kontrabandohen shumë lehtë, për shkak se sasia e tyre është shumë e vogël derisa vlera e tyre është shumë e madhe.

Pjesa veriore është pjesë e përshtatshme për kontrabandim. Kryesisht, mallrat që ne i zbulojmë janë të kontrabanduara nga Serbia dhe janë prodhim i Serbisë. Për shembull, dje dogana ka gjetur një sasi të barnave që kontrabandoheshin. Ne si doganë, pas konfiskimit i përcjellim në Agjencinë Kosovare për Produkte Medicionale”, thotë Adriatik Stavileci.

Ndërkaq, shoqata e farmacistëve të Kosovës, fenomenin e kontrabandimit me barna e quan si shumë shqetësues.

Besim Muzaqi, kryetar i kësaj shoqate, pohon se kontrabandimi i barnave është totalisht i papranueshëm, meqë është shumë i dëmshëm si për shëndetin e popullatës, po ashtu edhe për ekonominë e Kosovës

Ajo çka mua më preokupon është se ato barna nuk janë të kontrolluara dhe janë totalisht të shkëputura nga zinxhiri i transportit legal, andaj unë as që do t’i quaja barna ato. Ne si shoqatë kemi kërkuar që t’ju ofrohet mundësia pacientëve në të gjitha barnat, meqë është e drejtë e secilit pacient të ketë qasje në barna, duke e marrë parasysh se është e drejtë e garantuar me karta ndërkombëtare”, shprehet Muzaqi.

Sipas tij, shoqata që ai drejton nuk ka statistika se sa në fakt është i shprehur kontrabandimi me barna, meqë informatat që i marrin nuk janë informata zyrtare.

Pasi që nuk kemi statistika, informatat i marrim të pa konfirmuara nga informatorë të ndryshëm, por është një pjesë e mirë e tregut të barnave, çka edhe jemi shumë kundër këtij fenomeni. Por, është edhe një problem tjetër, që nuk janë gjitha barnat e nevojshme të regjistruara në Kosovë, andaj pacientët ose duhet të udhëtojnë vetë jashtë shtetit që t’i sigurojnë ato, ose në forma tjera si kontrabandimi”, bën të ditur Muzaqi.

Por, Ilir Dushi, kryeshef ekzekutiv i Agjencisë Kosovare për Produkte Medicionale, thotë se kontrabandimi i barnave ka rënë dukshëm, edhe pse, sipas tij, agjencia që ai udhëheq nuk ka statistika se sa në fakt kontrabandohen barnat.

Nuk kemi ndonjë shifër të saktë që do ta dinim se sa kontrabandohen barnat në Kosovë, por sipas disa parashikimeve tona, ka rënie kohëve të fundit. Kjo si rezultat i rritjes së numrit të produkteve që janë në qarkullim dhe janë duke u zëvendësuar pothuajse gjitha barnat që ka pasur mungesë në Kosovë. Lehtësimi i burokracisë e ka ulur ndjeshëm kontrabandimin”, thotë Dushi.

Sidoqoftë, sipas zotit Dushi, AKPM-ja shumë shpejtë do të fillojë me inspektim 24 orë në të gjitha pikat ku mendohet se kontrabandohen barnat, e jo vetëm gjatë orarit të punës, sic ka qenë deri më tani.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG