Ndërlidhjet

logo-print

DASH: Maqedonia të punojë në ri-integrimin e viktimave


Edhe këtë vit Maqedonia ndodhet në grupin e parë të vendeve të cilat plotësisht respektojnë aktin e mbrojtjes së viktimave nga trafikimi me qenie njerëzore, apo që në tërësi i plotëson standardet minimale për eliminimin e kësaj dukurie.

Vlerësime të këtilla përmban raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit, i prezantuar pasdite nga ministrat e punëve të brendshme dhe të punës e politikës sociale, Gordana Jankullovska dhe Spiro Ristovski, në prani të zëvendësambasadorit amerikan në Shkup, Brajan Ageler.

Por, në raportin e Departamentit të Shtetit, thuhet gjithashtu se Qeveria e Maqedonisë nuk ka arritur të sigurojë resurse financiare për viktimat të cilët gjenden në strehimore dhe nuk punon mjaftueshëm për ri-integrimin e tyre.

DASH i rekomandon qeverisë që të jetë më aktive në identifikimin e viktimave, si dhe në mbrojtjen e tyre nga deportimi apo dënimi për faktin se kanë qenë pjesë e trafikimit.

“Vlerësimi ynë për raportin lidhur me trafikimin me qenie njerëzore për vitin 2012 nuk bazohet vetëm në atë se a janë zbatuar ligje të forta dhe të mira por nëse këto ligje zbatohen në plotë kuptimin e fjalës dhe me efikasitet të plotë”.

“Edhe vendet që tërësisht i respektojnë standardet për eliminimin e trafikimit me qenie njerëzore, do të duhet edhe më tej të vazhdojnë të angazhohen në përmirësimin e kapaciteteve të qeverisë me qëllim mbrojtjen e viktimave dhe për kërkimin e llogarisë nga vetë keqbërësit”, u shpreh zëvendësambasadori i SHBA-ve në Maqedoni, Brajan Ageler.

Ai vlerëson se partneriteti mes ministrive të brendshëm dhe të punës dhe politikës sociale ka qenë shumë i rëndësishëm në luftën efikase që ka treguar Maqedonia në luftën kundër trafikimit me qenie njerëzore dhe ndihmën e dhënë ndaj viktimave.

Ndërsa, duke komentuar këto të dhëna, ministrja e punëve të brendshme, Gordana Jankullovska u shpreh:

Lufta me këtë lloj të krimit nuk fitohet me një betejë, por duhet të punohet sistematikisht dhe me intensitet të lartë. Ne me seriozitet të lartë i jemi qasur informatave se vendi edhe më tej është i ekspozuar në rreziqe, gjegjësisht se Maqedonia është burim, destinacion dhe vend transit për trafikim jolegal me qenie njerëzore dhe detyrimin e tyre në të dhunshme”.

Por, shpreh kënaqësinë time kur shoh se Maqedonia ndodhet në një grup me 33 vende siç janë Austria, Belgjika, Kanadaja, Franca, Finlanda, Gjermania, Italia, Holanda, SHBA-të, Britania e Madhe dhe vende të tjera”, ka deklaruar ministrja Jankullovska.

Ndërkohë, ministri i punës dhe politikës sociale, Spiro Ristovski tha se Maqedonia do të bëjë gjithçka të mundur jo vetëm të ruaj, por edhe të përmirësojë pozitën e saj në nivel botëror në raport me luftimin më efikas të trafikimit me qenie njerëzore.

Sipas Ministrit të Punës, gjatë vitit 2011 në Maqedoni janë kapur 35 kryerës të veprës së trafikimit me qenie njerëzore, kurse viktima kanë qenë 11 persona, gjashtë prej të cilëve të mitur, edhe atë pesë nga Maqedonia dhe një shtetas i huaj.
XS
SM
MD
LG