Ndërlidhjet

Gjermani: Nga minierë qymyri në minierë ari


Mizëri turistësh shëtisin nëpër objektin e gjerë, duke u zhytur në mrekullitë arkitektonike, vizitojnë muzetë e teknologjisë së lartë, dhe ndoshta drekojnë në një restorant luksoz përgjatë rrugës.

Mirë se vini në minierën e qymyrit Kompleksi Industrial Zollverein, një spirancë e ndryshkur e dikurshme për industritë gjermane të qymyrit dhe hekurit, transformimi i së cilës ka dhënë shpresë për një të ardhme të ndritshme, dhe të gjelbër ekonomike.

Kompleksi u bë miniera më e madhe e qymyrit në Evropë, kur pusi (boshti) i 12-ë i famshëm i saj, i ndërtuar në stilin Bauhaus, u hap në vitin 1930 në Esen, në rajonin Ruhr të Gjermanisë.
Por, kohët e lulëzimit nuk zgjatën shumë. Kur miniera pushoi që të jetë efektive, pasoi edhe rënia ekonomike dhe papunësia.

Ajo që dikur ishte “miniera e qymyrit më e bukura në botë” u bë miniera e fundit e qymyrit në Esen. Në fund të shekullit, puna në minierë përfundoi dhe Zollverein u bë simbol për rënien e rajonit.

Shefi i planifikimit të Esenit, Hans-Jyrgen Best, ishte në mesin e atyre që e pa arin në minierë. Ai i krahason përpjekjet për t’ia kthyer namin Zollvereit me përpjekjet e fundit për t’i ruajtur kështjellat nga Mesjeta.

Zollverein, gjithnjë them, se është kështjella jonë industriale”, thotë Best.

Ky është një lloj i të menduarit që e gjen Zollverein të renditur si një zonë të Trashëgimisë Botërore të UNESKO-s.

Por, zona është bërë më shumë sesa vetëm një vend i trashëgimisë industriale. Falë gati 215 milionë dollarëve investime nga qeveria rajonale dhe fondacioneve të ndryshme, më shumë se një milion turistë e vizituan Zollverein në vitin 2011, duke e bërë atë një shembull për rajonet e tjera industriale.

Në nivel lokal, shërbimet e vogla kanë lulëzuar.

Universiteti lokal ka plane që ta zhvendosë qendrën e projektimit në Zollverein, i cili shërben si park biznesi. Kohët e fundit, një financier njoftoi se planifikon që të financojë ndërtimin e një hoteli atje.

Sic thotë sipërmarrësi i ndërtimeve urbane, Stefan Konrad, ai që mund të ishte një “monument trishtues” tani është shndërruar në monument transformimi.

Në këtë zonë po zhvillohet jetë në shumë kuptime, jetë ekonomike, kulturore, e dizajnuesve, artistëve dhe muzeve”, thotë Konrad.

Tani, misioni për Konradin, i cili punon për R.A.G. Montan Immobilien, një degë e kompanisë më të madhe të zeheve në Gjermani, është që të zhvillojë 12 mijë hektarë të zonave që dikur ishin miniera në rajonin e Ruhrit.

Ai vë në pah suksesin në qytetin e afërt të Hertenit, ku një ish minierë qymyri është zhvilluar në një park biznesi dhe në një qendër kulturore. Jo shumë larg saj, një ndërtesë ultramoderne, që nxehet me gaz metan nga ish gropa e qymyrit që është poshtë saj, shërben si akademi trajnimi për shërbyesit civilë.

Dhe edhe pas mbylljes së fundit të minierës së thëngjillit në rajon, që është planifikuar për vitin 2018, zhvillimi do të vazhdojë:

"Ne mendojmë se ne do të kemi punë në terren, bashkë me R.A.G, mbase 50 vjet pas 2018-ës”, thotë Konrad.

Ka shumë shembuj të tjerë ku projektet për mjedisin e gjelbër po rrënjosen.

Në Duisburg, 20 kilometra në perëndim të Esenit, një park masiv është gdhendur nga punishtet e mëhershme të hekurit.

Klaudia Kalinovski, zëdhënëse për Landscape Park Duisburg Nord e përshkruan konceptin:

"Ideja themelore në thelb është që të krijohet përsëri një hapësirë ekologjike dhe një hapësirë rekreative ku mund të kaloni kohën, ku mund të jeni i lirë të bëni çkado, ku mund të eksploroni vetë, ku mund të argëtoheni, por, edhe që është e gjelbër”, tha Kalinovski.

Kjo zonë tani funksionon gjatë tërë kohës, duke ofruar shtigje për biçikletat, terrene sportive, salla të koncerteve, dhe një kinema në natyrë.

Parku tani punëson 350 persona – aq sa kanë punuar atje, kur u shua prodhimtaria e hekurit.

Kalinovski beson se transformimi i Ruhrit mund të përsëritet kudo në Evropë dhe më gjerë.(a.i.)
XS
SM
MD
LG