Ndërlidhjet

logo-print

Krasniqi: Në veri janë grumbulluar grupe kriminelësh


Jakup Krasniqi

Jakup Krasniqi

Gjatë qëndrimit të tij në Shtetet e Bashkuara, me ftesë të Komisionit për Partneritet dhe Zhvillim Demokratik të Kongresit të Shteteve të Bashkuara, Jakup Krasniqi, kryetari i Kuvendit të Kosovës, është shprehur se në pjesën veriore të Kosovës “janë grumbulluar grupe kriminelësh të luftës që e shfryzëtojnë paligjshmërinë”.

Këto kometne ai i bëri në paraqitjen e tij në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare në Uashington.

Duke u përgjigjur në pyetjen lidhur me situatën në pjesën veriore të Kosovës, pas sulmeve të fundit kundër pjesëtarëve të NATO-s në Kosovë, zoti Krasniqi, pos tjerash, tha:

“Jam i bindur se shumica e qytetarëve serbë të asaj pjese të Kosovës nuk janë dakord me këto sulme, që bëhen atje, e as nuk janë dakord me atë jetë të barrikaduar, që e bëjnë një numër i caktuar i serbëve në atë pjesë të Kosovës. Aty janë grumbulluar grupe kriminelësh të luftës, të cilët e kanë shfrytëzuar gjithë këtë paligjshmëri dhe çdo vendosje e rendit dhe ligjit ata e shohin si rrezik për ta”, tha Jakup Krasniqi në fjalimin e tij në Qendrën për Studime Strategjike dhe Ndërkombëtare, dhe ka shtuar se “Serbia, në atë pjesë të Kosovës, asnjëherë nuk i ka shpërbërë strukturat e veta të jashtëligjshme dhe ilegale”, por vazhdon t’i financoj këto struktura.

Sipas Krasniqit, këto struktura i kërcënojnë dhe i sulmojnë njerëzit që do të dëshironin të integroheshin në institucionet e Kosovës.

Mëtutje ai është shprehur se Kosova ka nevojë për përvojën e demokracisë amerikane.

“Ne kemi nevojë që të kemi mbështetje dhe të marrim përvoja të mira të demokracisë dhe ne kemi nevojë, poashtu, për ndihmë nga Kongresi amerikan në zhvillimin e demokracisë”, tha Jakup Krasniqi.
XS
SM
MD
LG