Ndërlidhjet

logo-print

Robert Kuper takon Hashim Thaçin


Robert Kuper

Robert Kuper

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Hashim Thaçi ka pritur sot ndërmjetësin e Bashkimit Evropian në bisedimet teknike mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë, Robert Kuper.

Në një njoftim me shkrim, kabineti i kryeministrit njofton se "në takim është diskutuar për implementimin e marrëveshjeve të arritur mes Republikës së Kosovës dhe Serbisë gjatë procesit të bisedimeve teknike në Bruksel".


Kryeministri Thaçi citohet të ketë thënë se "këto marrëveshje duhet të implementohen edhe nga ana e Serbisë, pasi ato janë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve dhe në dobi të forcimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal".

Komunikata citon edhe diplomatin evropian të ketë thënë se "marrëveshjet e nënshkruara nga përfaqësuesit e Kosovës dhe Serbisë duhet të implementohen sa më shpejtë, në mënyrë që të ecet përpara në proces".

Pas takimit në Qeverinë e Kosovës, në drejtim të zotit Kuper, "persona të papërgjegjshëm kanë hedhur domate", thuhet në njoftimin e qeverisë.

Kryeministri Hashim Thaçi e ka dënuar "këtë veprim të ulët, që dëmton imazhin evropian të Republikës së Kosovës".

"Shpalosja e ambicieve politike duhet të bëhet në mënyrë institucionale dhe demokratike në Parlament, e jo përmes dhunës së shfaqur kundër zyrtarëve të lartë të Bashkimit Evropian. Këto veprime janë të papranueshme dhe si të tilla të dënueshme nga Qeveria e Republikës së Kosovës", citohet të ketë thënë zoti Thaçi.
XS
SM
MD
LG