Ndërlidhjet

Egjipti shtyn publikimin e rezultateve zgjedhore

  • RFE /RL

Egjipt...

Egjipt...

Komisioni Zgjedhor në Egjipt ka shtyrë shpalljen e rezultateve të zgjedhjeve presidenciale të vendit.

Të dy kandidatët që janë përballur në balotazhin e së dielës, Muhamed Mursi nga Vëllazëria Myslimane dhe Ahmed Shafik, kryeministër në regjimin e kaluar, kanë shpallur fitoren.

Rezultatet zyrtare janë pritur të enjten, por Komisioni Zgjedhor ka thënë se do që të rishikojë qindra dyshimet për mashtrime.

Mbështetësit e Vëllazërisë Myslimane kanë ngritur kampe në Sheshin Tahrir, për të protestuar kundër shpalljes së Shafikut president të vendit. Zgjedhja e tij në këtë post, sipas tyre, do të zgjaste regjimin e Hosni Mubarakut – sunduesit veteran të Egjiptit, i cili është përmbysur në kryengritjen e vitit të kaluar.

Vëllazëria Myslimane pohon se Mursi ka fituar 52 për qind të votave, ndërsa Shafiku thotë se ka siguruar 51.5 për qind të tyre. Sidoqoftë, zyrtarët e ish-kryeministrit egjiptian thonë se Shafiku do të pranojë rezultatin zyrtar.

Në fund të ditës, kandidati Shafik do të jetë i gatshëm të pranojë rezultatin, cilido qoftë ai”, ka thënë zëdhënësi i fushatës së Shafikut, Basel Albaz.

Javën e kaluar, Këshilli Ushtarak ka shpërndarë parlamentin e ri, të dominuar nga anëtarë të Vëllazërisë Myslimane, pasi një vendim i gjykatës ka shpallur se zgjedhjet parlamentare të vitit të kaluar kanë qenë antikushtetuese.

Në Uashington, sekretarja amerikane e shtetit, Hillari Klinton, ka kujtuar se autoritetet ushtarake të Egjiptit duhet të dorëzojnë pushtetin te fituesi i zgjedhjeve presidenciale.

Mendojmë se është e domosdoshme që ushtria të përmbushë premtimin e saj dhënë popullit egjiptian, për t’i dorëzuar pushtetin fituesit legjitim. Nuk e dimë ende se kush do të emërohet fitues i zgjedhjeve, por ushtria duhet t’i kryejë angazhimet e saj”, ka thënë Klinton.

Vëllazëria Myslimane ka thënë se do të vazhdojë protestat deri në publikimin e rezultateve zgjedhore dhe kalimin e përgjegjësive nga autoriteti ushtarak te qeveria civile.

Në anën tjetër, kanë vazhduar konfuzionet për shëndetin e Mubarakut, i cili po vuan dënimin e përjetshëm për shkak të përfshirjes së tij në vrasjen e protestuesve, në vitin 2011. Raportet e fundit thonë se Mubaraku, 84 vjeç, është në gjendje kome.

Vëllazëria Myslimane ka akuzuar Këshillin Ushtarak se po shfrytëzon shëndetin e Mubarakut për të tërhequr vëmendjen nga rezultatet zgjedhore.

Mubaraku ka qenë sunduesi i dytë i Lindjes së Mesme që është rrëzuar nga protestat e Pranverës Arabe. Para tij ka pësuar presidenti i Tunizisë, Ben Ali, ndërsa pas tij ai i Libisë, Muamer Gadafi, i cili është vrarë nga protestuesit.

Siria vazhdon të jetë e përfshirë nga dhuna dhe trazirat. Kundërshtarët e regjimit duan largimin nga pushtetit të presidentit Bashar al-Asad.(v.t.)
XS
SM
MD
LG