Ndërlidhjet

Ndotësit kryesorë: Trepça, Ferronikeli, KEK-u, veturat...


Obiliq...

Obiliq...

Kosova ka një hapësirë prej 11 mijë kilometrash katrorë dhe njihet si vend me sipërfaqe relativisht të vogël. Me gjithë hapësirën e vogël, ndotja e ambientit është shumë e madhe. Një gjë të tillë e thotë Selatin Kaçaniku, drejtues i organizatës joqeveritare “Konsumatori”.

Sipas Kaçanikut, Kosova ka katër ndotës të mëdhenj të mjedisit, si Korporata Energjetike e Kosovës, “Trepça” e “Ferronikeli”, pastaj Fabrika Çimentos “Sharrcem” në Han të Elezit. Kurse, si sektor që ndikon mjaft shumë në ndotjen e ambientit është sektori i transportit, derisa si ndotës të ambientit, Kaçaniku i quan vetë qytetarët e saj.
Në një sipërfaqe prej 11 mijë kilometrash katrorë ekzistojnë 5 ndotës të mëdhenj, e që është një “luks” i madh negativ për ne.


“Ne mendojmë se ajri në Kosovë, së bashku me sipërfaqen e tokës dhe ujit, është shumë i ndotur. Në një sipërfaqe prej 11 mijë kilometrash katrorë ekzistojnë 5 ndotës të mëdhenj, e që është një “luks” i madh negativ për ne. Ndotësit si ‘Trepça’, KEK-u, ‘Sharrcem-i’, ‘Feronikeli’, të cilët në masë të madhe bëjnë pjesë në uljen e rezistencës së shëndetit të njeriut”.

“E, ndotësi i pestë jemi vetë ne qytetarët që ngasim rreth 300 mijë automjete, e që sponsor i kemi rreth 1000 pompa të derivateve të naftës - në mesin e tyre ka edhe të atillë që shesin naftë me mbi 114 herë më shumë ppm (10 ppm=1 pikë sulfur në 50 litra naftë ), sesa që lejojnë standardet e Bashkësisë Evropiane”,
thotë Kaçaniku.

Edhe zyrtarë shëndetësorë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik thonë se ndotës dhe rrezik për jetën e qytetarëve mbeten edhe veturat e vjetra, të cilat kontaminojnë ajrin në përmasa shqetësuese. Sipas tyre, në një raport publik të kontaminimit të ajrit, është gjetur rritje e shumëfishtë e partikulave në ajër, ku në pjesën dërmuese në qytet dominon kontaminimi i ajrit nga qarkullimi i madh i veturave, e që nganjëherë pa kontroll lëshojnë gazra helmuese në atmosferë.

Ergyl Binçe, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, shpjegon:

“Me ato matje që ne i kemi bërë, ajri është i ndotur. Më së shumti ka pluhur. Është evident shkaku - ndërtimet, automjetet e shumta dhe ndotja nga KEK-u, sa i përket Prishtinës. Ndërsa, në pjesë tjera të Kosovës, ndotja nga ‘Feronikeli’, ‘Trepça’ etj”.

“Ne gjithmonë bëjmë raportimin në institucione relevante, si për shembull, në Institutin Hidrometeorologjik, derisa ne i dorëzojmë disa raporte, dhe presim nga ta të marrin informata, e që në këtë mënyrë të zbatohen (ato raporte) në mënyrë që të mbrohet shëndeti i popullatës”.


Ajri në Kosovë...

Ajri në Kosovë...

Pulmologu Gazmend Zhuri, në Klinikën e Pulmologjisë në Qendrën Klinike Universitare, pohon se si pasojë e ajrit të ndotur, klinika që ai drejton çdo ditë ballafaqohet me pacientë kronikë.

“Ne përballemi për çdo ditë me pacientë kronikë dhe ata që vijnë me përkeqësim të sëmundjeve kronike, e që disa janë si pasojë e ndotjes së ambientit. Ndotja e ambientit ka ndikim të drejtpërdrejtë në rrugët e frymëmarrjes duke e marrë parasysh se përmbajtja e ajrit mund të jetë nga më të ndryshmet. Në Kosovë përballemi me ndotësit e ambientit nga termocentralet e Kosovës, por edhe me ndotës të veturave dhe pluhurit tjetër”.

“Gjithashtu, ndotësit tjerë, ata industrialë, janë shumë të rrezikshëm meqë lirojnë substanca të rrezikshme kimike, por edhe substanca që mund të jenë radioaktive. Sipas disa studimeve të reja, automjetet që shfrytëzojnë naftën si shpenzues, janë jashtëzakonisht të rrezikshme dhe shkaktojnë drejtpërdrejt sëmundje malinje",
thekson Zhuri.

Sidoqoftë, çështja e ndotjes së ajrit në Kosovë, ka kohë që është temë debatesh nga më të ndryshmet. Edhe zyrtarë nga Ministria e Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, disa herë kanë deklaruar se KEK-u është njëri nga ndotësit më të mëdhenj të ambientit në Kosovë dhe, sipas tyre, ky institucion edhe është paditur.

Por, derisa të merren hapa konkretë, termocentralet e KEK-ut dhe fabrikat e ndryshme që veprojnë në Kosovë, e të cilat nuk i plotësojnë standardet e kërkuara, vazhdojnë ta ndotin ambientin.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG