Ndërlidhjet

Zbatimi i marrëveshjeve - parakusht për vazhdimin e dialogut


Ilustrim
Ilustrim

Zbatimi i marrëveshjeve të arritura deri më tani në kuadër të dialogut teknik ndërmjet Prishtinës e Beogradit, ishte temë boshte e takimit të radhës që ndërmjetësuesi evropian i këtij dialogu, Robert Kuper, zhvilloi të enjten në Kosovë me kryeministrin e vendit, Hashim Thaçi.

Kjo, të paktën, u bë e ditur përmes një komunikate për media, të cilën e lëshoi Qeveria e Kosovës pas këtij takimi.

Kryeministri Thaçi citohet të ketë theksuar rëndësinë që “këto marrëveshje të implementohen edhe nga ana e Serbisë, pasi ato janë në dobi të qytetarëve të të dy shteteve dhe në dobi të forcimit të paqes, stabilitetit dhe bashkëpunimit rajonal”.

Nevojën për zbatimin e gjithsej shtatë marrëveshjeve të arritura brenda nëntë raundesh të takimeve, që nisën në mars të vitit të kaluar, mësohet ta ketë theksuar edhe përfaqësuesi i Bashkimit Evropian, Kuper duke thënë se kjo do të jetë e rëndësishme për vazhdimin e procesit.

Kundër vazhdimit të dialogut, ndërkaq, u shpreh lëvizja “Vetëvendosje, e cila përmes një proteste, ku morën pjesë rreth 100 njerëz, bllokoi për pak kohë hyrjen e objektit të Qeverisë, ndërsa hodhi domate në drejtim të delegacionit evropian dhe ndërtesës qeveritare.

Ndërkohë, mbetet e paqartë se kur e në çfarë forme do të vazhdojë dialogu dhe se a do të marrë ai, siç ishte paralajmëruar edhe nga vetë diplomatët evropian, një karakter më politik.

Njohësit e rrethanave politike në Kosovë e Serbi konsiderojnë se parakusht për vazhdimin e dialogut ndërmjet palëve, është përmbushja e detyrimeve që dalin nga marrëveshjet e arritura gjerë më tani.

Ardian Arifaj nga Instituti Kosovar për Kërkime dhe Zhvillime të Politikave tha për Radion Evropa e Lirë se Prishtina duhet t’ia bëjë të qartë BE-së se nuk do të vazhdojë dialogun përderisa Serbia nuk zbaton marrëveshjet e deritashme, nuk heq dorë nga strukturat paralele në veri të Mitrovicës dhe përderisa vazhdon të veprojë kundër proceseve që synojnë normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet vendeve.

Autoriteteve kosovare, sipas tij, do t’u nevojitet një platformë e qartë për këtë proces.

Për të qenë e gatshme për dialog, Prishtina duhet së pari ta përpilojë një platformë të mirëfilltë se për çfarë do të bisedojë në dialog dhe, çka është më e rëndësishmja, të tregojë qartë vijat e saja të kuqe për Kosovën në këtë dialog, cilat janë temat që nuk do të preken dhe se cilat janë temat hapjen dhe diskutimin e të cilave nuk do ta pranojë Kosova në dialog”, tha Arifaj.

Ai u shpreh i bindur se dialogu do të vazhdojë pas formimit të qeverisë së re serbe, meqë, siç tha ai, Brukseli është i interesuar që deri në fund të këtij viti të arrijë rezultate të prekshme në këtë proces.

Rezultate të tilla, sipas drejtoreshës së Qendrës për politikë të jashtme në Beograd, Aleksandra Joksimovich, do të duhet të dëshmojë pala serbe nëse është e interesuar ta avancojë procesin e anëtarësimit të Serbisë në BE.

"Serbia edhe një herë gjendet para një hapi të ri në rrugën e anëtarësimit. Çështja e hapjes së negociatave dhe caktimi i datës për nisjen e atyre është caku i radhës për arritjen e të cilit BE-ja pret nga Serbia që të vazhdojë bisedimet duke dhënë rezultate shumë konkrete në kuadër të dialogut”, u shpreh ajo.

Që nga nisja e tij, dialogu shihej si mundësi për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Prishtinës e Beogradit me qëllim përmirësimin e ecurisë së procesit integrues në BE.

Në mars të këtij viti Serbia mori statusin e vendit kandidat për anëtarësim në BE, ndërsa Kosovës iu ritheksuan kriteret, përmbushja e të cilave do të jetë e nevojshme për të ecur përpara në procesin integrues.

Prishtina zyrtare nuk ka marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian, ndërsa pret që të nënshkruajë Marrëveshjen për Stabilizim-Asociim me Komisionin Evropian. Ky i fundit ka angazhuar një ekip për të verifikuar përparimet dhe sfidat e Kosovës në procesin e përmbushjes së kritereve në kuadër të procesit të studimit të fizibilitetit-dokument që i paraprin MSA-së.
XS
SM
MD
LG