Ndërlidhjet

Erdogani fton për vizitë Hollandin


Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan.

Turqia ka ftuar në vizitë presidentin e ri të Francës, Fransua Holland, dhe ka paralajmëruar se do të heqë sanksionet e vendosura ndaj Francës, për shkak të njohjes që i ka bërë gjenocidit armen në fillim të shekullit 20.

Kryeministri turk, Rexhep Taip Erdogan, ka ftuar Hollandin gjatë takimit në Rio de Zhaneiro, që ka zënë vend në margjinat e Samitit për Zhvillim.

Holland ka thënë se një vizitë e tillë për të do të ishte "privilegj".

Të dy zyrtarët kanë thënë se është tejet e rëndësishme që të hapet një faqe e re në marrëdhëniet dypalëshe të të dyja vendeve

Në anën tjetër, shefi i diplomacisë turke, Ahmet Davutogllu, ka thënë se sanksionet ndaj Francës, "nuk do të jenë aktuale pas zgjedhjes së Hollandit në krye të shtetit".

Parlamenti francez, kohë më parë, ka miratuar rezolutën, e cila e konsideron vepër penale "çdo mohim të gjenocidit të Perandorisë Otomane kundër armenëve, në periudhën 1915-1917".

Sipas pohimeve të armenëve, "në këtë gjenocid kanë humbur jetën një milion e gjysmë njerëz". Turqia e mohon gjenocidin.
XS
SM
MD
LG