Ndërlidhjet

Kuper: Në tabelë vetëm ylli, jo edhe shpjegimi


Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Kuper.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Kuper.
Ndërmjetësi i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Robert Kuper, ka thënë se marrëveshja për përfaqësimin rajonal të Kosovës nuk parasheh që në tabelën para delegacioneve të Kosovës, të shkruhet edhe fusnota.

Sipas tij, në tabelë mund të qëndrojë ylli, ndërsa “diku tjetër shpjegimi se çfarë do të thotë ai”.

“Kjo është një gjë qesharake për diskutim. Qëllimi i fusnotës është që të bëhet e qartë se nuk ka paragjykime për statusin. Kjo do të thotë se kur uleni në një tryezë me dikë që ka përpara emrin Kosovë, ky nuk është akt i njohjes”, ka thënë Kuper për mediat serbe.

I pyetur se ku e ka origjinën problemi me fusnotën, Kuper ka thënë se “pala serbe disa herë ka ngritur çështjen rreth paraqitjes së funsotës në tabelat me emrin e Kosovës, ndërsa “pala kosovare kurrë nuk ka thënë se kjo është në rregull ose plotësisht e papranueshme”.

Në muajin shkurt, në kuadër të dialogut në Bruksel, Prishtina dhe Beogradi kanë arritur marrëveshjen për përfaqësimin rajonal të Kosovës.

Marrëveshja parasheh paraqitjen e Kosovës me fusnotën e cila përmban Rezolutën 1244 të Kombeve të Bashkuara dhe mendimin këshilldhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë për ligjshmërinë e shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

Duke folur për vazhdimin e dialogut, Kuper ka deklaruar se “është vështirë të thuhet se si do të duket ai, derisa të mos formohet Qeveria e Serbisë dhe të dëgjohen të gjithë aktorët politikë në Beograd”.

“Tomisllav Nikolliq ka thënë se si president ka përgjegjësinë për të monitoruar negociatat, porse përgjegjësinë kryesore do ta ketë kryeministri”, ka thënë Kuper për “Novosti”-n.

Prishtina dhe Beogradi kanë nisur bisedimet për çështje teknike në mars të vitit të kaluar. Në nëntë raunde negociatash, palët kanë arritur 7 marrëveshje, por zbatimi i tyre ka ngecur.

Analistët kanë paralajmëruar se formati i bisedimeve mund të ndryshojë nga ai teknik në politik.
XS
SM
MD
LG