Ndërlidhjet

Numri i madh i teksteve shkollore, "luftë” për tenderë


Ilustrim

Ilustrim

Nxënësit e shkollave fillore, konkretisht ata të ciklit të ulët, janë të mbingarkuar me tekstet shkollore, dhe madje aspak të kuptueshëm për ta.

Kështu thonë ekspertët e çështjeve të arsimit, sipas të cilëve, hartimi i numrit të madh të librave shkollore, ka qëllime komerciale dhe jo ngritje të cilësisë.

Halim Hyseni, nga Qendra për Arsim të Kosovës, për Radion Evropa e Lirë thotë se tekstet aktuale shkollore nuk janë atraktive, por të dëmshme për zhvillimin e fëmijëve.

Sipas bindjes sime, tekstet shkollore janë shumë të dëmshme, sa ndikojnë që mësimdhënia dhe të nxënit të mos jenë atraktive dhe shumë interesante. Pasojat janë jashtëzakonisht të mëdha, dhe duhet ndryshuar”.

Sipas bindjes sime, tekstet shkollore janë shumë të dëmshme, sa ndikojnë që mësimdhënia dhe të nxënit të mos jenë atraktive dhe shumë interesante

Do të thotë, nuk zhvillojnë shkathtësitë, nuk zhvillojnë aftësitë e nxënësit, nuk e zhvillojnë të menduarit kritik dhe nuk zhvillojnë shkathtësitë e shekullit 21”, thekson Hyseni.

Edhe eksperti tjetër, Jonuz Salihaj, konsideron se planprogrami është i ngarkuar.

Lëndën e matematikës, ai e vlerëson më problematike për moshën e fëmijëve.

Sigurisht që duhet të reduktohet planprogrami pak. Matematika është problematike. Në përgjithësi në nivel të Kosovës, ka shumë pakënaqësi në këtë mënyrën e mësimit të matematikës. Dhe faji është gjysmë - gjysmë, sa i kanë planprogramet, aq i kanë edhe arsimtarët që nuk dinë të zbërthejnë lëndën”, thotë Salihaj.

Por, ndryshe nga këta, vetë nxënësit thonë se detyrat nuk janë të vështira, por problem për ta paraqet pesha e rëndë e çantave.

Njëri nga ta është Artan Retkoceri, nxënës në klasën e tretë në shkollën fillore “Hasan Prishtina”. Ai tregon se klasa e tretë ka gjithsejtë 14 tekste shkollore.

Çanta është e rëndë, por prindërit më dërgojnë dhe më marrin në shkollë, për shkak të peshës se rëndë të çantës sime. Detyrat për moshën time nuk janë të komplikuara”, thotë Artani.

Ndërsa, Blinera Muzhaku, nxënëse e klasës së katërt në shkollën fillore “Faik Konica” në Prishtinë, thotë se detyrat e matematikës janë pak të komplikuara për moshën e tyre.

Disa janë të vështira, por disa janë shumë të lehta. Nxënësit më shumë probleme kanë te thyesat, pjesëtimi dhe shumëzimi. Por, çanta jonë shumë e rëndë, prindërit duhet të na sjellin në shkollë, sepse është e ngarkuar”, thotë ajo.

Bukurie Nuhiu, është mësimdhënëse në shkollën fillore “Faik Konica”.

Edhe ajo thotë se nxënësit nuk paraqesin ndonjë pakënaqësi në lëndët mësimore, pasi sipas saj, nxënësit nuk dinë planprogramet e mëhershme.

Kur kemi qenë ne, kemi mësuar shumë më vonë disa gjëra që tash po mësohen. Por, kur pyeten nxënësit, nuk i vijnë shumë të vështira, për arsye se i mësojnë me kohë”, shprehet Nuhiu.

Autor i lëndës se matematikës për ciklin e ulët është Ramadan Zejnullahu.

Ai thotë se njësitë mësimore janë hartuar në bazë të modeleve të librave të vendeve të ndryshme të rajonit dhe Evropës.

Ai megjithatë, thotë se njësitë mësimore i përshtaten moshës se fëmijëve.

Autori e shkruan librin mbi bazën e programeve të hartuara zyrtarisht nga Ministria e Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë”, bën të ditur Zejnullahu.

Por, mësuesja Bukurie Nuhiu, ka një shqetësim tjetër.

Ajo thotë se ka raste kur fëmijët ankohen nga pesha e rëndë e çantave, pasi për një ditë, ata duhet të bartin deri në 6 tekste shkollore, fletore pune dhe pajisje tjera të nevojshme.

Ankohen nxënësit që kanë dhimbje në kraharor për shkak të çantës së rëndë”.

Ekspertët e çështjeve arsimore thonë se numri i madh i teksteve shkollore është dizajnuar për interesa të caktuara të individëve, vetëm për të fituar tenderë dhe për të ngritur cilësinë.

Për mua, këto janë bërë për qëllime komerciale edhe për institucionet të cilat i botojnë edhe të individëve të cilët kanë ndikim në hartimin e politikave të botimit të teksteve”, shprehet Halim Hyseni.

Pa dyshim se ka një rivalitet në mes shtëpive botuese se kush po depërton më shumë, dhe kjo bëhet për qëllime materiale, me qëllim të përfitimit, jo me qëllim të ngritjes së cilësisë.
Edhe Jonuz Salihaj konsideron se po zhvillohet një “luftë” për shtypjen e më tepër librave shkollore, për shkak të përfitimeve materiale.

Pa dyshim se ka një rivalitet në mes shtëpive botuese se kush po depërton më shumë, dhe kjo bëhet për qëllime materiale, me qëllim të përfitimit, jo me qëllim të ngritjes së cilësisë. Kryesisht, është rasti të përfitojnë më shumë shtëpitë botuese”, thotë Salihaj.

Edhe zyrtarë të qeverisë pohojnë se më planprogramin aktual, nxënësit janë të mbingarkuar.

Nehat Mustafa, zëvendësministër i Arsimit Shkencës dhe Teknologjisë, thotë se tekstet shkollore që janë në përdorim, janë të hartuara para shumë vitesh, ndërsa tashmë ministria është duke bërë përgatitje që në të ardhmen të shpallë konkurs për tekste të reja shkollore.

Atëherë kur janë miratuar këto planprograme dhe tekste shkollore, ne nuk kemi qenë pjesë e qeverisjes. Dhe nëse vërtet ka ndodhur diçka e tillë, atëherë ata ekspertë janë pjesë e atyre manipulimeve që janë bërë atëherë”.

Prandaj, deri më tani askush nuk ka arritur që ta verifikojë dhe të bëjë një analizë të saktë, se cila lëndë është e tepërt në sistemin arsimor të Republikës së Kosovës”, bën të ditur Mustafa.

Sidoqoftë, niveli i parë i shkollimit, që do të thotë nga klasa e parë deri në të pestën, është i obliguar, dhe në këtë nivel llogariten mbi 174 mijë nxënës.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG