Ndërlidhjet

Zhbogar, i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit


Samuel Zhbogar
Samuel Zhbogar
Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë, Samuel Zhbogar, është shprehur i zhgënjyer me vendimin e Kuvendit të Kosovës për të mbajtur në fuqi nenet 37 dhe 38 të Kodit Penal, të cilat zhvlerësojnë lirinë e medias.

Zoti Zhbogar citohet të ketë thënë nëpërmjet një komunikate të lëshuar nga zyra e tij se nenet në fjalë janë në kundërthënie me konventat e BE-së që mbrojnë lirinë e medias dhe lirinë e të shprehurit.

“Provizionet për përgjegjësinë penale dhe burimin e informacionit do të kenë një ndikim negative në lirinë e shprehjes dhe lirinë e medias në Kosovë”, ka thënë Zhbogar, duke rikujtuar se BE mbetet thellësisht e përkushtuar në promovimin dhe ruajtjen e lirisë së shprehjes dhe medias, si vlera të një rëndësie të veçantë për konsolidimin e demokracisë së Kosovës.

Ai ka shprehur keqardhjen gjithashtu se ky vendim pason vizitën që një delegacion i Komisionit Evropian ka realizuar në Kosovë për të vlerësuar arritjet e Kosovës dhe aftësitë e saj për t’u angazhuar në bisedimet e Mekanizmit të Stabilizim – Asociimit.

“Mbi të gjitha, ky hap e lë Kosovën prapa në kontekstin rajonal, duke qenë se pothuajse të gjitha vendet fqinje kanë hequr tashmë provizionet që penalizojnë mediat për kryerjen e detyrave të tyre”, citohet të ketë thënë Zhbogar.
XS
SM
MD
LG