Ndërlidhjet

Rusia e pranoi se ka dërguar helikopterë në Siri


Anija ruse Alaed
Anija ruse Alaed
Rusia ka konfirmuar se anija, që ishte kthyer prapa më herët këtë javë, transportonte pajisje ushtarake për në Siri.

Anija ruse, Alaed, ishte detyruar të kthehet në Rusi, pasi kompania britanike e sigurimeve e tërhoqi sigurimin e saj, për shkak të raporteve se anija po transportonte helikopterë sulmues për në Siri.

Anija ishte në bregdetin skocez kur u kthye prapa.

Ministri i Jashtëm rus, Sergei Lavror, konfirmoi se anija Alaed ka pasur pajisje ushtarake, por i ka përsëritur komentet e mëparshme të Kremlinit se armatimi nuk do të ishte përdorë kundër civilëve.

“Anija ka bartur sisteme të mbrojtjes ajrore, siç kemi thënë më parë, që mund të përdoren vetëm për të kthyer prapa agresionin e jashtëm dhe kurrsesi kundër demonstruesve paqësorë. I ka bartur tre helikopterë të riparuar”, tha Sergei Lavrov, në intervistën për radio stacionin Ekho Moska.

Ai, më tutje, shpjegoi se helikopterët, që sipas tij ishin “pasuri e palës siriane”, ishin riparuar në Moskë në kuadër të marrëveshjes të nënshkruar para disa vjetësh.

“Kontrata për riparim për këta helikopterë të prodhimit sovjetik ishte nënshkruar në vitin 2008. Në Rusi ata iu nënshtruan kontrollit të përgjithshëm. Ata, pjesë-pjesë janë vendosur në anije dhe do të duheshin edhe tre muaj të tjerë për t’i montuar në arritje”, u shpreh Lavrov.

Ministri i Jashtëm, Sergei Lavrov, e kritikoi “besueshmërinë e dobët” të kompanisë siguruese britanike "Standard Club" dhe të sistemit të sigurimeve në Britani.

“Kontratat dhe marrëveshjet duhet të zbatohen, ky është një fakt i pakundërshtueshëm”, theksoi Lavrov.

Kompania Standard Club tha se nuk do ta sigurojë anijen Alaed, pasi ajo po bartte pajisje ushtarake për në Siri, që paraqet shkelje të rregullave të kompanisë.

Zyrtari i lartë rus, tha se presidenti i Sirisë, Bashar al-Asad, “nuk do të largohet” derisa “së paku gjysma e popullatës së Sirisë votoi për të, për partinë e tij dhe për politikën e tij”.

Por, ushtria e Sirisë dhe rrjedhimisht edhe presidenti Bashar al-Asad, duket se pësuan edhe një goditje, pasi një pilot ushtarak me aeroplanin e tij, të enjten, ateroi në Jordani, ku atij iu dha azil.

Ministri i Informacionit i Jordanisë, Samih al-Majtah, e ka konfirmuar lajmin në Aman.

“Sot në orën 10 e 45 minuta sipas kohës së Amanit, një MiG-21 luftarak i forcave ajrore të Sirisë ka ateruar në një bazë ajrore, dhe piloti ka kërkuar azil politik në Jordani”, tha ministri al-Majtah.

Më vonë u bë e ditur se emri i pilotit ishte kolonel Hasan Merei al-Hamade.

Qeveria e Sirisë e ka dënuar veprimin e pilotit, ndërsa televizioni shtetëror ka raportuar se ministria e mbrojtjes ka thënë se “piloti konsiderohet dezertor dhe tradhtar për vendin e tij”.

Qeveria e Sirisë ka kërkuar që aeroplani të kthehet në Siri. (f. b.)
XS
SM
MD
LG