Ndërlidhjet

logo-print
Marrëveshja për Tregti të Lirë CEFTA, një projekt ndërkombëtar i krijuar nga ana e Bashkimit Evropian, me qëllim të lehtësimit të këmbimeve tregtare të vendeve të Ballkanit Perëndimor është vënë në dyshim se së fundi është shkelur nga Republika e Kosovës, e cila është anëtare e këtij mekanizmi që nga viti 2007.

Vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për marrjen e masave të përkohshme mbrojtëse në importin e çimentos për të gjitha vendet me tarifë prej 35 për qind është vendimi, i cili ka ngritur dilema sa a është shkelur marrëveshja e CEFTA-s.

Përfaqësuesit e bizneseve në Kosovë japin mendime të kundërta.

Sipas përfaqësuesve të Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë kjo marrëveshje nuk është shkelur, derisa Oda Ekonomike e Kosovës vë në dyshim se vendimi i Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë është në kundërshtim me këtë marrëveshje.

Drejtori i Odës Ekonomike Amerikane, ArianZeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se vendimi për caktimin e masave mbrojtëse në importin e çimentos, ka bazë ligjore.

Arian Zeka

Arian Zeka

Është mirë t’i sqarohet opinionit dhe të gjithë atyre, të cilët janë të hutuar me këtë vendim që nuk është shkelur marrëveshja CEFTA. Me lejoni t’i referohem një pjese të Marrëveshjes për Tregti të Lirë, e cila thotë se në momentin kur konkludohet se një industri e caktuar dëmtohet apo kërcënohet që të pësojë dëme, atëherë mund të implementohen masat mbrojtëse”, thotë Zeka.

Sipas Zekës, edhe një dispozitë tjetër e marrëveshjes CEFTA thotë se në momentin kur rrezikohet situata ekonomike e njërit nga vendet anëtare të marrëveshjes CEFTA, atëherë vendi importues, i cili pëson dëme nga një import i caktuar, mund t’i zbatojë masat mbrojtëse.

Sipas Ligjit për masat mbrojtëse në importe, e cili ka hyrë në fuqi në vitin 2011 në Kosovë, thuhet se masat mbrojtëse duhet të përbëjnë një detyrim mbrojtës ad valorem (kuotë me vlerë) të llogaritur sipas vlerës së produktit të importuar, e cila mund të zbatohet përmes kuotës tarifore në importet e produktit të hetuar.

Masa mbrojtëse në produktet e importuara në territorin e Republikës së Kosovës, sipas këtij ligji, zbatohet vetëm nëse është përcaktuar, përmes një hetimi të kryer sipas dispozitave të këtij ligji, që produkti i hetuar është importuar në territorin e Republikës së Kosovës, në sasi të mëdha dhe në kushte të tilla që i shkaktojnë ose kërcënojnë të shkaktojnë dëme serioze prodhuesve të mallrave të njëjta në Kosovë ose që shkakton çrregullime në një sektor të ekonomisë, të cilat do të mund të sillnin përkeqësim të gjendjes ekonomike të këtij sektori në Kosovë.

(http://www.kuvendikosoves.org/common/docs/ligjet/Ligji%20per%20masat%20mbrojtese%20ne%20importe.pdf)

Ndërmarrja “SharrCem” e cila është prodhuesi dhe furnizuesi kryesor i çimentos në Kosovë, ishte ajo e cila kishte ngritur shqetësim se po dëmtohet nga importi i çimentos. “SharrCem” është kompani e Kosovës.

Produktet e ndërmarrjes “SharrCem”, thonë përfaqësuesit e bizneseve, janë produkt vendor, edhe pse lëndën e parë e importon.

Sipas Marrëveshjes për Tregti të Lirë, të nënshkruar nga autoritetet kosovare, një produkt fiton origjinën e Kosovës në qoftë se ai produkt është i përfituar tërësisht në Kosovë, ose në qoftë se është punuar apo përpunuar në masë të mjaftueshme.

Kritikë për marrjen e këtij vendimi shprehen përfaqësuesit e Odës Ekonomike të Kosovës. Sekretari i Odës Ekonomike të Kosovës, Berat Rukiqi, thotë se ky vendim nuk është konform rregullave të tregtisë së lirë.
...vendimi nuk është konform rregullave të tregtisë së lirë dhe në një anë i krijon favore një kompanie.

Në kuadër të kushteve të Kosovës dhe duke pasur parasysh specifikat që i ka kjo industri dhe faktin që ka ndikime edhe në industritë e tjera, ne mendojmë se vendimi nuk është konform rregullave të tregtisë së lirë dhe në një anë i krijon favore një kompanie. Mirëpo, në anën tjetër mund të dëmtojë një zinxhir tjetër të kompanive që janë të rëndësishme për ekonominë e vendit”, vlerëson Rukiqi.

Sidoqoftë edhe ministrja e Tregtisë dhe Industrisë, Mimoza Kusari-Lila, ka thënë se ky vendim nuk është në kundërshtim me Marrëveshjen e CEFTA-s.

Ministrja Kusari-Lila ka theksuar nenin 23 të marrëveshjes CEFTA, ku thuhet se nëse produktet e importuara nga një vend i CEFTA-s shkaktojnë shqetësime serioze në tregun vendor, deri në gjetjen e zgjidhjes ndërmjet vendeve, mund të merren masa të përkohshme nga vendet importuese.

Ky vendim i MTI-së, është i përkohshëm në afat prej 90 ditësh, por nëse shihet e nevojshme mund të shtohen edhe 30 ditë tjera, pra 120 ditë dhe ende nuk është masë mbrojtëse, që ka për qëllim mbrojtjen e tregut vendor, derisa të zhvillohen hetimet. Nëse hetimet konstatojnë se nuk ka bazë për masa, shuma e paguar ju kthehet palëve që e kanë paguar.

Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë, në vitin 2009 dhe 2010 Kosova importonte 15 dhe 16 mijë tonë çimento, ndërsa në vitin 2011 në Kosovë kishin hyrë 260 mijë tonë, që do të thotë shumë më shumë se vitet e kaluara.
  • 16x9 Image

    Luljeta Krasniqi - Veseli

    Luljeta Krasniqi, e lindur më 02.05.1981. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 2005. Për një kohë të gjatë ka punuar si gazetare në Agjencinë e lajmeve Kosovalive. Ekipit të Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2008.

XS
SM
MD
LG