Ndërlidhjet

Gyl: S'mund të injorohet rrëzimi i aeroplanit

  • RFE /RL

Abdullah Gyl

Abdullah Gyl

Presidenti Abdullah Gyl tha se nuk është e mundur që Turqia ta injorojë faktin se Siria e ka rrëzuar një avion luftarak turk.

Agjencia turke e lajmeve, Anatolia, publikoi komentet e Gylit, pasi që Siria zyrtarisht konfirmoi se ajo e kishte qëlluar një avion turk të premten.

Gyl tha se çdo gjë që ka nevojë të bëhet pas incidentit “do të bëhet,” por nuk është qartësuar nëse këto komente i bëri pas deklarimit të Sirisë.

Presidenti turk u shpreh se aeroplani mund të ketë humbur, gjë kjo që është rutinë, për aeroplanët që fluturojnë me shpejtësi të madhe kur i kalojnë kufijtë në distanca të shkurtra. Ai tha se një hetim mbi incidentin do të vërtetojë nëse aeroplani ishte në hapësirën ajrore turke kur u rrëzua.

Gyl tha gjithashtu se Ankaraja ka qenë në kontakt telefonik me Damaskun, derisa operacioni i kërkimit për aeroplanin e zhdukur dhe pilotët e tij është duke vazhduar.

Të shtunën në mëngjes, agjencia zyrtare e lajmeve e Sirisë, SANA konfirmoi se Damasku e ka rrëzuar një aeroplan.

Një zëdhënës ushtarak i tha SANA-s se një “objektiv i paidentifikuar ajror e ka shkelur hapësirën ajrore të Sirisë nga ana perëndimore në një lartësi të ulët dhe me shpejtësi tepër të madhe mbi ujërat territoiale” në Mesdheun lindor, para se të qëllohej dhe të rrëzohej.

SANA raportoi se marinat e dy vendeve po bashkëpunojnë në operacionin për gjetjen e dy pilotëve të humbur.

Presidenti turk, Abdullah Gyl, tha se Ankaraja ka qenë në kontakt telefonik me Damaskun, derisa operacioni i kërkimit për aeroplanin e zhdukur dhe pilotët e tij është duke vazhduar.

Të premten në mbrëmje, zyra e kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan, tha se do të vendosë për mënyrën e veprimit, pasi që të jenë gjetur të gjitha faktet. Erdogan e bëri këtë deklaratë pas një takimi të jashtëzakonshëm të kabinetit qeveritar me udhëheqësit ushtarakë.

Mediat turke raportuan më herët se Siria ka kërkuar falje për incidentin, por Erdogan nuk përmendi ndonjë kërkim-falje.

Ushtria e Turqisë nuk dha detaje mbi misionin e aeroplanit, por disa raporte të televizioneve turke thanë ai ishte në një fluturim zbulues.

Incidenti ka të ngjarë të tensionojë edhe më tej marrëdhëniet në mes të Damaskut dhe Ankarasë, e cila i ka mbështetur thirrjet që presidenti Bashar Asad të japë dorëheqje.

Turqia e ka tërhequr personelin diplomatik nga Siria për shkak se, siç është thënë, siguria e tyre ishte në rrezik.

Shteti turk, po ashtu, ka ngritur kampe refugjatësh përgjatë kufirit për më shumë se 32 mijë sirianë, që kanë ikur nga luftimet në mes të forcave qeveritare dhe kryengritësve, të cilët për më shumë se një vit, po kërkojnë largimin e Asadit.(a.i.)

Trego komentet

XS
SM
MD
LG