Ndërlidhjet

Maqedoni: Kontestet mbi Ligjin për lustrim


Parlamenti i Maqedonisë

Parlamenti i Maqedonisë

Miratimi i ligjit të ri për lustrim pa konsensus mes partive politike, ka ngritur dilema mbi besueshmërinë e gjithë këtij procesi të përcjellë me debate të shumta.

Kjo ka çuar në shfuqizimin e shumë neneve të tij për të detyruar, më në fund, shumicën parlamentare të miratojë një ligj krejt të ri, por, pa praninë e opozitës, e cila vlerëson se ligji i ri i shërben pushtetit për të luftuar të gjithë që mendojnë ndryshe.

Ligji i ri përfshin periudhën prej vitit 1944 deri në vitin 2006, ndërsa do të përfshijë pa përjashtim të gjithë bartësit e funksioneve publike, drejtuesit e pushtetit lokal, të OJQ-ve, gazetarët, akademikët, kandidatët që garojnë në zgjidhje, përfaqësuesit e bashkësive fetare, të shumë organizatave tjera që kanë të regjistruar veprimtari të tyre konform ligjeve ekzistuese, si dhe afaristët që kanë arritur të përfitojnë mbi pesë për qind nga privatizimi i ndërmarrjeve shtetërore gjatë periudhës së tranzicionit.

Por, pikërisht kjo kategori e gjerë ka ngritur dilema mbi besueshmërinë e ligjit edhe nga Stojan Andov, i cili është iniciatori kryesor që edhe Maqedonia të ketë një ligj për lustrim, ashtu siç kishin vepruar edhe vendet tjera të ish-regjimit komunist.
Me aq sa e kam lexuar këtë ligj, vlerësoj se ai nuk korrespondon me parimet bazë të atij ligji, të cilin unë fillimisht e iniciova, e ishte miratuar,

“Me aq sa e kam lexuar këtë ligj, vlerësoj se ai nuk korrespondon me parimet bazë të atij ligji, të cilin unë fillimisht e iniciova, e ishte miratuar. Është e papranueshme që një ligj i këtillë të miratohet pa konsensus, pasi nuk do të arrijë qëllimin e dëshiruar për demokratizimin e shoqërisë apo parandalimin e rrjeteve të ndryshme të shërbimeve sekrete të inkuadrohen në politikë. Pra, në rastin e tanishëm, ligji mund të përdoret si armë kundër njërës apo tjetrës parti politike”, thotë Stojan Andov.

Edhe analistët politikë drejtojnë një sërë kritikash për mungesën e konsensusit gjatë miratimit të ligjit. Mersel Bilalli thekson:

“Unë mendoj se nuk është i logjikshëm veprimi i kësaj strukture, pra kjo jep një dyshim serioz se pushteti, në mungesë të rezultateve serioze, dëshiron gjuajtjen e shtrigave. Jam i mendimit se do të krijohet një ambient mediatik ku do të luftohen kundërshtarët politikë, opozita, intelektualët apo të gjitha strukturat që tregohen të padëgjueshme në raport me pushtetin, kështu që do të krijohet një kaos i vërtetë në ambientin politik”.

Ndërkohë, Ligji për lustrim ka shkaktuar përplasje edhe mes vetë anëtarëve të komisionit që duhet të zbatojë vendimin e Kuvendit. Një nga anëtarët e tij, Çedomir Damjanovski thotë se ligji është antikushtetues, jofunskional dhe i hartuar për hakmarrje.

“Ne sjellim vendime në bazë të ligjit, por zbatimi i mëtejmë i këtij vendimi do të jetë antikushtetues, pra, funksionimi dhe rëndësia e një vendimi të tillë do të jetë antikushtetues dhe me shkelje masive të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut”, konsideron Damjanovski.

Por, kreu i komisionit, Tome Axhiev, thotë se komisioni duhet të zbatojë ligjin e jo të japë vlerësime rreth përmbajtjes së tij.
Ne nuk jemi ata që vlerësojmë se ligji është apo jo kushtetuese, ne jemi komision që duhet të zbatojmë ligjin...

Ne nuk jemi ata që vlerësojmë se ligji është apo jo kushtetuese, ne jemi komision që duhet të zbatojmë ligjin, i cili është më i qartë se i mëparshmi, janë të qartësuar shumë gjëra. Do t’i drejtohemi të gjitha institucioneve që të na e dërgojnë listën e bartësve të funksioneve publike dhe pastaj do t’ia dorëzojnë organeve përgjegjëse për kontrollin e tyre dhe në bazë të përgjigjes kthyese, edhe miratojmë vendimet”, përfundon Axhiev.
XS
SM
MD
LG