Ndërlidhjet

“Të gjithë” kundër neneve 37 dhe 38 të Kodit Penal


Nga bojkoti i aktitviteteve të Qeverisë nga ana e mediave në Ditën e Lirisë së mediave, më 3 maj 2012

Nga bojkoti i aktitviteteve të Qeverisë nga ana e mediave në Ditën e Lirisë së mediave, më 3 maj 2012

Asociacioni i Gazetarëve Profesionistë të Kosovës (AGPK) në konsultim me mediat vendase, ka vendosur që t’i drejtohet Avokatit të Popullit me kërkesën që vendimin e Kuvendit të Kosovës për mos-heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38, t’i dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Njëherësh, AGPK-ja përmes kryetarit Arben Ahmeti, ka paralajmëruar edhe vazhdimin e protestave të gazetarëve deri në ndryshimin e këtyre dy neneve, të cilat nga mediat vendase konsiderohen se cenojnë lirinë e shprehjes dhe rrezikojnë punën e tyre.

“AGPK-ja në konsultim me të gjitha mediat, do t’i drejtohet Ombudspersonit me kërkesën që ai të shfrytëzojë kompetencën e tij që ta dërgojë Kodin Penal me këto dy nene në Gjykatën Kushtetuese për të dhënë një interpretim nëse këto dy nene bien ndesh me Kushtetutën”.
Ne jemi të bindur që këto dy nene, përveç tjerash, janë edhe anti-kushtetuese.

“Ne jemi të bindur që këto dy nene, përveç tjerash, janë edhe anti-kushtetuese. Gjithsesi që ne do ta vazhdojmë edhe protestën tonë, të cilën e kemi bërë në vazhdimësi”, ka thënë Ahmeti.

Të premten, Kuvendi i Kosovës nuk miratoi kërkesën e presidentes Atifete Jahjaga për heqjen nga Kodi Penal të neneve 37 dhe 38, që kanë të bëjnë me sanksionimin e shpifjes dhe zbulimin e burimit të informacionit, në rastet kur bëhet fjalë për procedime kriminale.

Një vendim i tillë i Kuvendit çoi deri te dorëheqja e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Drejtësisë, Hajredin Kuçi, si dhe nxiti reagime të ashpra nga presidentja, Atifete Jahjaga, kryeministri Hashim Thaçi dhe përfaqësuesi i posaçëm i BE-së në Kosovë, Samuel Zhbogar, të cilët e konsideruan vendimin e Kuvendit si kthim parapa që cenon lirinë e shtypit dhe medias së lirë.



Zëdhënësi i presidentes, Arbër Vllahiu, ka thënë se vendimi i Kuvendit ishte zhgënjyes dhe kthim prapa. Kurse tash ka bërë të ditur se po shikohen mundësitë ligjore se si të veprohet tutje.

“Ne jemi duke shqyrtuar me kujdes gjithë atë që ka ndodhur në Kuvendin e Kosovës dhe po i shqyrtojmë të gjitha mundësitë ligjore dhe ato kushtetuese për të parë se si të dalim më tutje për ta gjetur një rrugëzgjidhje në këtë situatë të krijuar. Me sa e di unë, edhe Qeveria e Republikës së Kosovës është duke e bërë po të njëjtën gjë”, ka thënë Vllahiu.

Vendimi i Kuvendit ishte cilësuar si turpërues nga kryeministri Hashim Thaçi. Ai është zotuar se nuk do të pajtohet me ligje e kode që cenojnë lirinë e shprehjes dhe medias. Andaj, ka proceduar në Kuvend për rishqyrtim Kodin Penal pa nenet 37 dhe 38.

Reagimi i Thaçit, duket se e kishte alarmuar edhe partinë e tij, Partinë Demokratike të Kosovës, pasi që katër deputetë të kësaj partie me votat e tyre kundër dhe 3 të tjerë me abstenime, përcaktuan rezultatin e votimit për mos-heqjen e neneve 37 dhe 38.

Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Adem Grabovci, ka paralajmëruar mocionin e kësaj partie për ta rikthyer Kodin në rivotim.
Kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së ka qenë që të kemi një riformulim (të neneve 37 dhe 38).

“Kërkesa e Grupit Parlamentar të PDK-së ka qenë që të kemi një riformulim (të neneve 37 dhe 38). Votimi pas veprimeve që janë bërë aty, ishte një votim spontan dhe ka dalë ky rezultat që është, e që ne nuk pajtohemi me këtë rezultat dhe kemi kërkuar afat shtesë. Qëllimi ka qenë për t’u konsultuar dhe kemi ardhur në përfundim që ka nevojë për një afat shtesë", ka deklaruar Grabovci.

Kjo nuk është hera e parë që PDK-ja voton për një vendim të Kuvendit dhe më pas kërkon rivotimin, kështu që mbetet të shihet të hënën, nëse do ta bëjë një kërkesë të tillë në Kuvend dhe si do të pritet ajo nga pjesa tjetër e Parlamentit.

Kodi Penal është miratuar nga Kuvendi i Kosovës në seancën plenare, më 20 prill të këtij viti. Ai ka zgjuar më pas reagime e protesta të gazetarëve dhe mediave, të cilat kanë konsideruar se si i tillë, ky Kod, përkatësisht këto dy nene, cenojnë dhe rrezikojnë punën e tyre.

Më pas, ishte presidentja Atifete Jahjaga, e cila kishte kërkuar rishqyrtimin e neneve duke thënë se “Neni 37 dhe Neni 38 i Kodit Penal janë në kundërshtim të plotë me Nenin 40 dhe Nenin 42 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që rregullojnë lirinë e shprehjes dhe lirinë e mediave, si dhe me Nenin 22.2 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, që obligon përmbushjen e Konventës Evropiane për mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive Themelore të Njeriut dhe Protokollet e saj".

Si të tillë, ajo e kishte kthyer këtë Kod në Kuvend për rishqyrtim, por deputetët nuk i dhanë mbështetjen e nevojshme kërkesës së presidentes, e cila nga 61 votat e nevojshme, mori 59 vota. Deputetët që votuan kundër apo abstenuan ishin 7 nga PDK-ja dhe 2 nga LDK-ja.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG