Ndërlidhjet

Imazh ekonomik i dëmtuar


Ilustrim
Ilustrim
Imazhi jo i mirë ekonomik në Kosovë ka bërë që investitorët ndërkombëtarë të hezitojnë që kapitalin e tyre ta shtrijnë në Kosovë, thonë njohës të rrethanave ekonomike.

Për këtë çështje ata kërkojnë nga autoritetet kompetente në Prishtinë, që ta përmirësojnë imazhin, pasi po i shkakton shumë dëme zhvillimit të përgjithshëm ekonomik.

Eksperti i ekonomisë, Ymer Havolli, thotë se imazhi ekonomik po bie vazhdimisht për shkak të ambientit të papërshtatshëm të të bërit biznes, si për investuesit vendorë, po ashtu edhe për ata ndërkombëtarë.

Evazioni fiskal dhe pjesa veriore e Mitrovicës, thotë Havolli, po i shkakton probleme të mëdha çështjes ekonomike në vend.
Nëse flitet për imazhin e Kosovës, atëherë asociacioni i të gjitha investimeve të jashtme direkte është se Kosova është një shtet jo stabil...

“Nëse flitet për imazhin e Kosovës, atëherë asociacioni i të gjitha investimeve të jashtme direkte është se Kosova është një shtet jo stabil, një shtet, në të cilin ende ekzistojnë vatrat, që mund të eksplodojnë, për sytë e ndërkombëtarëve”.

“Ndërsa, për sytë e vendorëve dhe interesat e ndërtimit të shtetit është duke u bërë një dëm i tmerrshëm edhe në pikëpamje institucionale dhe në pikëpamje të evazionit fiskal”, thotë Havolli për Radion Evropa e Lirë.

Edhe Kujtim Dobruna, udhëheqës i organizatës Nisma Ekonomike për Kosovë, me seli në Vjenë, thotë se jostabiliteti politik ka dëmtuar imazhin ekomomik të vendit.

Ai pohon se stabiliteti politik apo ekonomik është një ndër faktorët kryesorë të një vendi për tërheqjen e investimeve të huaja.

“Me këtë dua të them se njëra ndër mesazhet kryesore të Qeverisë dhe institucioneve tjera që merren me promovimin e investimeve, duhet të jetë promovimi i stabilitetit këtu. Stabiliteti ekonomik në një masë të caktuar është i dhënë për shkak se ekonomia e Kosovës, është duke u rritur në vazhdimësi pavarësisht krizës”.

“Edhe stabiliteti politik është pjesërisht i dhënë, për shkak se njëri ndër faktorët kryesorë që ndikon në mungesën e stabilitetit politik janë telashet e vazhdueshme që kemi në veri të vendit”
, shprehet Dobruna, duke shtuar se vazhdimisht po bëjnë përpjekje që t’i bindin investitorët potencialë gjermano-folës që Kosova është vend i sigurt për investime.
Nëse e shohim nga aspekti i investimeve të huaja, natyrisht se çështja e imazhit mbetet edhe më tutje një sfide e madhe.

“Nëse e shohim nga aspekti i investimeve të huaja, natyrisht se çështja e imazhit mbetet edhe më tutje një sfide e madhe. Ne këtë e kemi të qartë, dhe për këtë arsye ne jemi të interesuar dhe jemi duke punuar në vazhdimësi që të njoftojmë posaçërisht opinionin gjermano- folës, për zhvillimet pozitive në Kosovë, përmes aktiviteteve të drejtpërdrejta që bëjmë me vendimmarrësit në politikë, në ekonomi, mediat apo edhe drejtpërdrejt me investitorët potencialë”, shton Dobruna.

Edhe Ymer Havolli konsideron se institucioneve vendore u mbetet që ta përmirësojnë imazhin ekonomik të vendit karshi investitorëve ndërkombëtarë.

“Demokracia nënkupton respektimin e ligjit, ligjit dhe vetëm ligjit. Pozita e barabartë e të gjitha bizneseve. Nëse ne si shoqëri arrijmë që t’i vëmë në një pozitë të barabartë të gjitha bizneset, si ato vendore, po ashtu edhe ato të huaja, atëherë imazhi ekonomik dhe politik i shtetit do të ishte në nivelin e duhur”.

“Mirëpo, përgjegjësinë askush nuk na largon si shoqëri, pse ne nuk jemi duke u angazhuar për të ndërtuar një imazh më të mirë, për shkak se përgjegjësinë e bartim vetë për respektimin e ligjit
”, thekson Havolli.

Investimet e huaja në Kosovë vazhdimisht janë vlerësuar si mjete të domosdoshme për një zhvillim të përgjithshëm ekonomik. Megjithatë, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, në shkurt të vitit 2008, investimet e huaja vazhdimisht kanë shënuar rënie.
XS
SM
MD
LG