Ndërlidhjet

logo-print
Një takim i ngutshëm ndërmjet presidentes së Kosovës, Atifete Jahjaga, dhe presidentit serb, Tomisllav Nikolliq, mund të prodhojë efekte negative, vlerësojnë analistët politikë në Prishtinë.

Ndonëse dialogun e shohin si të domosdoshëm për vendosjen e raporteve ndërshtetërore në të ardhmen, njohësit e zhvillimeve politike në Prishtinë, thonë se presidenti serb, Nikolliq, paraqet një personalitet me shumë pikëpyetje te komuniteti ndërkombëtar, sidomos te vendet e botës demokratike, kështu që realizimi i një takimi të shpejtë me presidenten Jahjaga, konsiderohet se do t’i nevojitej atij vetëm për të përmirësuar imazhin e tij para bashkësisë ndërkombëtare.

Analisti politik, Belul Beqaj, thotë se problemi i këtij takimi, si edhe i dialogut të zhvilluar deri më tash ndërmjet Kosovës dhe Serbisë qëndron te mungesa e krijimit të ambientit adekuat tek opinioni publik për t’i pranuar takimet e tilla dhe rezultatet eventuale.

“Konsideroj se derisa nuk konstituohet qeveria në Beograd dhe derisa nuk ka konsensus të brendshëm në Beograd dhe në Kosovë rreth dialogut dhe takimit, ky mund të ketë vetëm efekte propagandistike dhe në pikëpamje të përmbajtjes mund të ketë madje edhe vlerësime e pasoja kundër-efektive”, vlerëson Beqaj.

Ndërkohë, Alban Bokshi, drejtor Ekzekutiv i Klubit për Politikë të Jashtme thotë se menjëherë pas shkëndijave të para në qarqet diplomatike për një takim të mundshëm në nivel presidentësh ndërmjet dyja vendeve, presidentja e Kosovës Aftifete Jahjaga ishte deklaruar pro këtij takimi, ç’gjë, sipas tij, paraqet një gjest të ngutshëm politik nga ana e saj.

“Patëm deklarata edhe nga SHBA-ja, edhe nga BE-ja që ata së pari do ta përcjellin sjelljen e Nikolliqit si president dhe më pastaj do ta formulojnë një qëndrim ndaj tij dhe mendoj se në këtë kuadër gatishmëria e presidentes Jahjaga për t’u takuar me Nikolliqin ka qenë e ngutshme, pasi që Nikolliqi është një president i paparashikueshëm në raport me Kosovën dhe në raport me integrimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”, thotë Bokshi.

Shtrirja e dialogut teknik në dialogun politik, duke përfshirë aty edhe takimin e mundshëm ndërmjet Jahjagës dhe Nikolliqit, sipas Alban Bokshit, do ta promovonte presidentin serb si faktor paqeje e stabiliteti në rajon, pavarësisht politikave dhe qasjes së Beogradit në raport me Kosovën.
Efekti i këtij takimi do të ishte rehabilitues për Nikolliqin, pasi që ai konsiderohet i paparashikueshëm nga perëndimi dhe takimi i Jahjagës me të do ta paraqiste presidentin serb si një faktor paqeje e stabiliteti
në rajon...

“Efekti i këtij takimi do të ishte rehabilitues për Nikolliqin, pasi që ai konsiderohet i paparashikueshëm nga perëndimi dhe takimi i Jahjagës me të do ta paraqiste presidentin serb si një faktor paqeje e stabiliteti në rajon njësoj siç e pati prezantuar Marrëveshja e Dejtonit, Millosheviqin e që më vonë u dëshmua se ai nuk ka qenë kurrfarë faktori i paqes e stabilitetit”, thekson Bokshi.

Para se dialogu Prishtinë - Beograd të shtrihet në nivelin politik, duhet që ai të përgatitet mirë, në mënyrë që efektet të mos jenë negative, thotë në anën tjetër Belul Beqaj. Ai rikujton dialogun aktual në nivel të delegacioneve qeveritare që, sipas tij, më shumë po prodhon dilema e pikëpyetje sesa rezultate konkrete.

“Sa është i mirëseardhur dialogu, aq është edhe i papërgatitur dhe për shkak se është i papërgatitur ambienti, mendoj se ndoshta është më mirë që të analizohet situata dhe të vlerësohet mirë pozicioni, derisa të arrihet konsensusi dhe konstituohet edhe qeveria në Serbi, dhe pastaj të ndërmerren hapa që përcillen me veprime konkrete dhe jo të ndodhë sikurse deri më tash që të jepen mendime të ndryshme edhe rreth marrëveshjeve, të cilat kanë qenë të akorduara”, shton Beqaj.

Dialogu politik, duke përfshirë edhe takimet e niveleve të larta politike ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, janë përmendur si mundësi në shumë raste.

Por, ajo që deri më tash ka insistuar pala kosovare ka të bëjë me plotësimin e disa kushteve, e ndër më kryesoret mbetet ajo për largimin e strukturave paralele të pushtetit që Serbia i ka aktualisht në Kosovë, sidomos në pjesën veriore.

Po ashtu, ndër parakushtet tjera është përmendur edhe bashkëpunimi i Serbisë për zbardhjen e fatit të personave të pagjetur, si dhe riparimi i dëmeve të luftës.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG