Ndërlidhjet

Kosovë: Qendrat e ndalimit me shumë probleme


Ilustrim

Ilustrim

Kushtet e pakënaqshme materiale, mbipopullimi i theksuar, niveli i ulët i higjienës dhe mungesa e kategorizimit e sistematizimit të të burgosurve në qendrat e ndalimit në vend vazhdojnë të jenë shqetësimet kryesore në këtë fushë, thanë përfaqësues të task-forcës monitoruese për parandalimin e torturës në Kosovë.

Në konferencën e mbajtur një ditë para shënimit të Ditës Ndërkombëtare në Mbështetje të Viktimave të Torturës, përfaqësuesit e organizatave vendore e ndërkombëtare që janë pjesë e mekanizmit monitorues për parandalimin e kësaj dukurie folën për arritjet, problemet aktuale dhe sfidat në trajtimin e personave që mbahen në qendrat e ndalimit.

Ndonëse që nga viti 2007 kur dhe ka nisur monitorimi i këtyre qendrave thuhet se është ulur numri i keqtrajtimeve fizike të të ndaluarve, drejtoresha ekzekutive e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti e përmendi si sfidë që duhet adresuar mbingarkesën e qendrave me persona të paraburgosur në burgjet si ai i Dubravës, Smrekonicës, Pejës, Gjilanit dhe Mitrovicës.

Duke folur për gjetjet e monitorimit që i janë bërë Institucionin Integrues të Shëndetit Mendor në Shtime, Rushiti theksoi nevojën për krijimin e një ligji të veçantë që do të përcaktonte vendosjen dhe trajtimin e personave me aftësi të kufizuar dhe për protokollet me qëllim menaxhimin e rasteve në kriza apo sjellje agresive të pacientëve.

Telashe të tjera për të personat që mbahen në këtë institut, sipas saj, kanë të bëjnë me infrastrukturën ekzistuese.

Po ashtu si shqetësim mbetet, kohë pas kohe, reduktimi i ujit dhe i rrymës. Imagjinojini të sëmurët kronikë psikiatrik apo të sëmurët me retardime mendore të qëndrojnë, për shkak të ristriksioneve komunale, pa ujë, pa rrymë, pa drita-gjë që paraqet një problem shumë madhor pranë këtyre institucioneve”, u shpreh ajo.

Drejtori ekzekutiv i Këshillit për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut, Behxhet Shala, dha hollësi për të gjeturat në aspektin strukturor dhe organizativ të shërbimit korrektues të Kosovës.

Një nga pengesat kryesore në këtë drejtim, sipas tij, paraqet centralizimi i përgjegjësive në organizimin e këtij sistemi.

Shala foli për ekzistimin e ndikimeve politike në menaxhimin e qendrave të ndalimit duke thënë se ato ulin efikasitetin e punonjësve dhe demotivojnë një pjesë të tyre.

Ka ndikime edhe gjatë emërimit të disa drejtorëve edhe gjatë shkarkimit të disa drejtorëve, mirëpo edhe gjatë punës me të paraburgosurit apo me të dënuarit. Kjo dukshëm e ulë efikasitetin e atyre që punojnë në këto qendra”, tha ai.

Mirëpo, politika, sipas përfaqësuesve të misionit të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian në Kosovë do të duhej ta mbështeste ekzistimin e një mekanizmi të qëndrueshëm, transparent dhe kredibil për monitorimin e qendrave të ndalimit.

Ushtruesi i detyrës së drejtorit të departamentit të të drejtave të njeriut dhe komuniteteve në OSBE-së, Hjortur Sverison, përmendi parakushtet për të mundësuar veprimin e këtij mekanizmi.

Ai duhet të ketë një mbështetje të vazhdueshme politike, duhet të jetë tërësisht ligjore dhe duhet të ketë mjete të mjaftueshme financiare për të vepruar në mënyrë të pavarur”, tha ai.

Pjesë e task-forcës monitoruese për parandalimin e torturës në Kosovë janë Institucioni i Avokatit të Popullit, Qendra Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe Këshilli për Mbrojtjen e Lirive dhe të Drejtave të Njeriut në vend.
XS
SM
MD
LG