Ndërlidhjet

Ëndrra e shuar olimpike


Marrë parasysh kushtet ekonomike dhe sociale me të cilat përballet Kosova tash e sa kohë, zhvillimi i sportit kërkon mund dhe sakrificë nga vet sportistët.

Por, edhe kur arrihen rezultate, të cilat janë të lakmueshme jo vetëm për konkurrencën e brendshme sportive në Kosovë, por edhe jashtë saj, sportistët kosovarë vazhdojnë të jenë të bllokuar dhe izoluar nga skena ndërkombëtare e sportit.

Kështu vlerësojnë sportistët, ata që janë përgjegjës në mekanizmat sportiv, si dhe zyrtarët qeveritarë përgjegjës për sportin.

Ditë më parë, Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, përfundimisht dha përgjigje negative për pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Lojërat Olimpike që sivjet pritet të mbahen në Londër.

Urata Rama, nga Pozhorani i Vitisë, e dalluar në sportin e shenjëtarisë, është njëra prej sportisteve kosovare që kanë arritur dhe tejkaluar normat olimpike në disiplinat përkatëse.

Urata Rama
Urata Rama

Ajo thotë se i është dashur mund dhe angazhim i madh për ta arritur këtë rezultat, por vendimi i Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, ia ka shuar ëndrrat asaj, si dhe kolegëve dhe kolegeve të saj, duke ua mohuar mundësinë që të jenë të barabartë me kolegët e tyre në botë.


Është normale që të ndjehesh keq, kur e bën një lloj analize ose krahasimi. Krahasohesh me një sportist që e ka të njëjtin rezultat, por ai lirisht as nuk e mendon çështjen e pjesëmarrjes në Olimpiadë. Ai vetëm mendon se sit ë arrijë rezultate më të mira dhe ta përfaqësojë vendin e vet”.

Ndërsa, ne, këtu në Kosovë, po ballafaqohemi çdo herë me këtë problemin tjetër, atë politik, të cilin e kemi çdo herë në mendje. Ne po ushtrojmë, por s’jemi të barabartë me të tjerët”, thotë Urata Rama.

Cila ishte arsyeja pse sportistëve kosovarë nuk iu mundësua pjesëmarrja në Olimpiadën në Londër?

Besim Hasani, kryetar i Komitetit Olimpik të Kosovës thotë se arsyeja është politike.

Sipas tij, Kosova është dashur t’i plotësojë dy kushte për pjesëmarrje.

Kushti parë, i natyrës teknike, që nënkupton anëtarësimin e pesë federatave të sporteve në federatat gjegjëse ndërkombëtare, ishte plotësuar.

Por, siç thotë ai, Komiteti Ndërkombëtar Olimpi ka theksuar se kushti i dytë, i natyrës politike, që nënkupton njohjen ndërkombëtare të shtetit të Kosovës, nuk është plotësuar.

Kriteri politik nuk është plotësuar, sepse, do të thotë, Komiteti Olimpik duhet t’i takojë një shteti të pavarur dhe të njohur nga komuniteti ndërkombëtar. Në argumentet tona, se 90 shtete më të fuqishme dhe demokratike na kanë njohur, ata e kanë një përgjigje se ‘janë edhe 103 shtete që nuk ju kanë njohur’. Nuk kanë dashur që të marrin një vendim, që ndoshta do të kishte reperkusione politike edhe më të mëdha dhe që do të sillte ndoshta edhe deri te tronditja e tërë lëvizjes olimpike”, shprehet Hasani.

Ndryshe, Aziz Salihu, ish-boksier kosovar dhe pjesëmarrës i trefishtë në Lojëra Olimpike gjatë kohës kur garonte në kuadër të ish-Jugosllavisë, shprehet mjaft i revoltuar për faktin se sportistët kosovarë kanë mbetur të izoluar nga arena ndërkombëtare e sporteve.

Është gjynah, qe 26 vjet sportistët e Kosovës nuk marrin pjesë. Është turp, sepse, unë mendoj që këto shtete që na kanë pranuar ne edhe në sport do të na pranonin. Por, nuk kemi bërë asgjë që të marrim pjesë në Olimpiadë. Kjo Olimpiadë shkoi si shkoi, por frikohem që mos po ndodhë përsëri që edhe në Olimpiadën e ardhshme të mos shkojmë”, thekson Salihu.

Por, Malsor Gjonbalaj, këshilltar politik i ministrit të Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Memli Krasniqi, thotë se institucionet e Kosovës i kanë shteruar të gjitha mundësitë për të arritur që të sigurojnë pjesëmarrjen e sportistëve kosovarë në Olimpiadën në Londër.

Institucionet e Kosovës, përkatësisht Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit dhe ministri Krasniqi i kanë bërë të gjitha përpjekjet që kanë qenë legjitime dhe të mundshme që të bëhet, që pjesëmarrja e Kosovës në ‘Londra 2012’ të jetë me prezencën e sportistëve tanë atje. Megjithatë, mendoj se është bërë një shkelje e të drejtave të njeriut së pari, si dhe thyerje e Kodit dhe Kartës Olimpike”, bën të ditur Gjonbalaj.

Ai shton se institucionet e Kosovës nuk do t’i ndalin përpjekjet që të bëhen pjesë e institucioneve më të rëndësishme ndërkombëtare të sportit, siç është edhe Komiteti Olimpik Ndërkombëtar.

Ndryshe, përfaqësuesit e Komitetit Olimpik të Kosovës kanë theksuar se në një letër të cilën ua kanë dërguar Komiteti Olimpik Ndërkombëtar, është thënë se ky i fundit do ta shqyrtojë kërkesën e kosovarëve në mbledhjen e parë të radhës.

Por, kjo mbledhje pritet të mbahet në dhjetor të këtij viti, gjë që do të thotë, pas Olimpiadës së sivjetme në Londër.
XS
SM
MD
LG