Ndërlidhjet

OSBE: Strategji kundër krimit, drogës e terrorizmit


Ilustrim

Ilustrim

Misioni i OSBE-së në Kosovë ka përkrahur hartimin e strategjive të reja dhe planeve të veprimit 2012-2017 kundër trafikimit të drogës, terrorizmit dhe krimit të organizuar gjatë disa punëtorive të mbajtura në Durrës, thuhet në njoftimin e këtij misioni.

Gjatë gjashtë muajve të fundit, Misioni ka punuar me përfaqësuesit e policisë së Kosovës, ministritë relevante, këshillat gjyqësor dhe prokurorial, si dhe me EULEX-in, ICITAP-in, UNDP dhe organizata jo-qeveritare për të rishikuar strategjitë 2009-2012 dhe për të ndihmuar në hartimin e strategjive të reja, të cilat vazhdojnë deri në vitin 2017.

“Këto strategji janë shumë të rëndësishme për përmirësimin e situatës së sigurisë në Kosovë,” tha Dushko Zavishiq, Zëvendës Drejtor i Departamentit për Siguri Publike në OSBE. “Një bashkëpunim dhe koordinim i përmirësuar i të gjithë akterëve relevant është qenësor për mbajtjen dhe përmirësimin e sigurisë publike dhe kjo është edhe thelbi i këtyre strategjive,” ka thënë ai.

Strategjia kundër trafikimit të drogës ka për qëllim ruajtjen e shëndetit publik dhe parandalimin e abuzimit me droga duke zvogëluar mundësinë e sigurimit dhe kërkesës për drogat e ndaluara, kurse strategjia kundër terrorizmit përqendrohet në parandalimin, ndjekjen, mbrojtjen dhe reagimin ndaj aktiviteteve të terrorizmit, vlerëson përmes një komunikate per media, OSBE.

Strategjia kundër krimit të organizuar – si strategji ombrellë – përcakton rolet e agjencive për zbatim të ligjit dhe parasheh masa për përmirësimin e mëtutjeshëm të punës së tyre. Kjo strategji përfshinë edhe komponentin e ngritjes së vetëdijes për të siguruar përkrahje për implementimin e saj, thuhet ne komunikate.
XS
SM
MD
LG