Ndërlidhjet

Kosovë: Varshmëria nga droga - në rritje


Ilustrim

Ilustrim

Edhe pse thonë se kanë arritur të zvogëlojnë hyrjen e drogës dhe të substancave të ndryshme narkotike për në territorin e Kosovës, autoritetet vendore theksojnë se niveli në rritje i përdorimit të drogës mbetet ende shqetësues për shoqërinë kosovare.

Në një konferencë për media që u mbajt për të shënuar ditën ndërkombëtare kundër përdorimit të drogës dhe trafikimit të paligjshëm të saj, përfaqësues të qeverisë mohuan të kenë ndonjë databazë aktuale që jep të dhëna për numrin e përdoruesve të drogës në Kosovë, edhe pse thanë se janë duke punuar për krijimin e saj.

Ministri i Shëndetësisë, Ferid Agani, tha se hulumtimet që janë bërë deri më tani flasin për një numër në rritje të personave që, në mënyrë të paligjshme, përdorin drogën.

Ferid Agani

Ferid Agani

Në bazë të hulumtimeve të bëra në Kosovë në periudhën e pasluftës-janë bërë tri hulumtime të mëdha në bashkëpunim me Organizatën Botërore të Shëndetësisë, trendi i përdoruesve të drogës ka qenë në rritje të vazhdueshme”, u shpreh ai.

Numri në rritje e përdoruesve të drogës dhe trafikimit të saj të paligjshëm në të gjithë botën kishte shtyrë në dhjetor të vitit 1987 Asamblenë Gjenerale të Kombeve të Bashkuara që ta miratojë një rezolutë e cila e përcakton 26 qershorin si ditë ndërkombëtare kundër përdorimit të drogës e narkotikëve dhe kundër trafikimit të saj, ndërsa synohej forcimi i angazhimit të përbashkët të qeverive botërore në këtë drejtim.

Në shumë raporte ndërkombëtare Kosova identifikohet si vend transit për kalimin e drogës dhe të substancave të ndryshme narkotike.

Autoritetet thonë se mungesa e sundimit të ligjit në pjesën veriore të vendit vështirëson kontrollimin e trafikimit me drogë.

Problem tjetër në këtë drejtim, sipas ministrit të Punëve të Brendshme të Kosovës, Bajram Rexhepi, është mungesa e anëtarësimit të vendit në Interpol dhe organizata të tjera ndërkombëtare policore.

Bajram Rexhepi

Bajram Rexhepi

​“Në këtë drejtim është me rëndësi që është rritur efikasiteti-sidomos i drejtorisë kundër drogave dhe bashkëpunimi me shtetet në rajon. Por, për të pasur rezultate më efektive duhet të kemi më shumë informata nga Interpoli dhe Europoli për vendin e origjinës për arsye se ajo duhet të jetë luftë shumë më efikase”, tha ai.

Sipas të dhënave të fundit Zyrës për Drogë dhe Krim të Kombeve të Bashkuara, diku 16.5 milion njerëz në botë kanë përdorur të paktën një herë brenda vitit substanca narkotike, ndërsa heroina thuhet se u prin drogave të tjera kur bëhet fjalë për sasitë që përdoren.

Afganistani vazhdon të jetë prodhuesi më i madh i drogës në botë, ndërkaq Turqia dhe Irani mbesin vendet ku janë konfiskuar sasitë më të mëdha të drogës.

Ulja e trafikimit me drogë në të ashtuquajturën “Linjë të Ballkanit” mbetet sfida më e madhe për shtetet e rajonit si Shqipëria, Mali i Zi, Bosnja dhe Kosova.
XS
SM
MD
LG