Ndërlidhjet

logo-print

Shkup: Dhjetë muaj para zgjedhjeve, atmosferë zgjedhore


Maqedoni

Maqedoni

Takime, inaugurime, prezantime të kandidatëve dhe të gjitha këto të përcjella me akuza dhe kundërakuza ndaj oponentëve politikë.

Kështu kohëve të fundit duket skena politike në Maqedoni, edhe pse deri në mbajtjen e zgjedhjeve të radhës, që janë të nivelit lokal, ka edhe së paku 10 muaj.

Më të zëshme në aktivitetet partiake janë dy blloqet politike maqedonase.

Opozita e udhëhequr nga LSDM-ja, tashmë disa javë në po mban mitingje në qytetet të ndryshme të vendit, ku edhe po prezanton kandidatin e ardhshëm për kryetar komunash.

Në anën tjetër, kryeministri Nikolla Gruevski, fushatat elektorale i ka zëvendësuar me inaugurime të objekteve të ndryshme infrastrukturore, që sipas tij është edhe një dëshmi se qeveria e tij punon deri në ditën e fundit të mandatit për realizimin e programit zgjedhor.

Por, këto aktivitete partiake komentohen në forma të ndryshme nga analistët politikë.

Disa nga ta, veprimet e këtilla i quajnë populiste, ndërsa të tjerët si përgatitje për zgjedhje të përgjithshme pas dështimit të vendit që të marrë ftesë për në NATO në samitin e Çikagos.

Viteve të kaluara ne ishim dëshmitarë të një politikë më shumë elitare në Maqedoni, por tani shohim se insistohet më shumë që të jenë më pranë qytetarëve. Por, ky afrim me qytetarët më tepër tingëllon si populizëm me elemente qesharake, pasi ata tashmë janë ngopur me premtime boshe nga ana e partive politike. Pra, kemi të bëjmë me një qasje krejt populiste në raport me votuesin”, thotë analisti politik, Zdravko Savevski.

Por, nga ana tjetër, Alajdin Demiri thotë se aktivitetet e këtilla janë si rezultat i dëshmimit të vendit në samitin e NATO-së dhe tani në këtë kuadër Demiri nuk përjashton mundësinë që fushata të ketë edhe karakter të zgjedhjeve të përgjithshme.

Kjo fushatë mund të jetë edhe fushatë e zgjedhjeve parlamentare. Partitë politike janë duke i programuar, ri-formatuar strukturat e veta, frontmenët e vetë e kështu me radhë. E gjithë kjo tregon se Maqedonia tashmë shkelë në zonën e krizës së thellë nga e cila vështirë se do të del”, thotë analisti Demiri.

Ndërsa, sa i përket heshtjes momentale në bllokun politik shqiptar, ai thotë se kjo është pasojë e apatisë që mbretëron në mesin e tyre.

Ka një apati tek partitë shqiptare. BDI-ja shterrëzohet, ka shterrëzime të cilat e ngushtojnë dhe e vendosin në dilemë si të mbijetojë këtë mandat. PDSH-ja është parti e cila nuk mund të duroj asnjë partner, as një koalicion më të gjerë për një front opozitar që do të mund t’i fitojë zgjedhjet e ardhshme”.

Pra partitë politike shqiptare ende kanë amulli, ende nuk dinë si të pozicionohen, ende nuk dinë, edhe nëse fitojnë, se çka do t'i bëjnë fitores”, thotë Demiri duke shtruar nevojën e konsolidimi të një force të tretë politike ashtu siç ishte paralajmëruar nga Rilindja Demokratike Kombëtare, parti kjo e përfaqësuar edhe në Kuvendin e Maqedonisë.

Ndërkohë, që krahas mitingjeve dhe aktiviteteve tjera politike, në bllokun maqedonas tashmë po shqyrtohen edhe mundësitë e forcimin e koalicioneve ekzistuese me partitë që nuk ishin arritur pragun zgjedhor të përfshirjen e tyre në institucionin ligjvënës.

Nga LSDM-ja, që udhëheq opozitën maqedonase thonë se që tani janë të gatshme të përballen me çdo sfidë që mund të paraqitet nga ana pushtetit duke aluduar në mundësinë edhe të zgjedhjeve parlamentare për të marr qeveria e re një mandat për zgjidhjen e problemit kryesor të çështjes së emrit dhe zhbllokimin e procesit integrues.
XS
SM
MD
LG