Ndërlidhjet

Nivel jo i kënaqshëm i higjienës në QKUK


QKUK
QKUK
Qendra Klinike Universitare e Kosovës, thuhet të ketë një nivel jo të kënaqshëm sa i përket higjienës. Këtë e thotë zëvendës kryeinspektori sanitar, Ibrahim Tërshnjaku, i cili pohon se gjatë inspektimit të vazhdueshëm brenda klinikave, has në shumë parregullsi, që e vështirësojnë punën e mirëfilltë në këtë institucion.

Zoti Tërshnjaku shton se nivel i ulët i higjienës në QKUK, ka bërë që të flitet edhe për mbyllje të këtij institucioni, por që siç thotë ai, mbyllja do të bllokonte shërbimet shëndetësore për pacientët.

Gjatë inspektimit që kemi bërë në QKUK, kemi hasur në parregullsi që janë të aspektit tekniko-sanitar e që vështirësojnë punën e mirëfilltë në këtë qendër. Kushtet sanitare kanë rënë nën nivelin e duhur. Në mungesë të asaj për të marrë një vendim për mbyllje, është e pamundur të bllokojmë shërbimet shëndetësore, ku do të mbeteshin keq pacientët”, thekson ai.

Ndërkaq, Shpend Fazliu, zëdhënës në Qendrën Klinike Universitare, thotë se menaxhmenti i këtij institucioni nuk është i kënaqur me higjienën që mbretëron nëpër klinika brenda QKUK –së. Ai shton se ajo frekuentohet nga një numër i madh i pacientëve, sepse është qendër referente për tërë Kosovën.

Po ashtu, Fazliu thotë se ka një numër të madh të vizitorëve, dhe ky është një problem në vete, pasi që ata ndikojnë direkt në uljen e higjienës.

QKUK vazhdimisht bën përpjekje që niveli i higjienës të ngrihet. Kemi kërkuar edhe nga kompania që aktualisht kujdeset për higjienë, që ta ngritë nivelin, pasi që ne nuk jemi të kënaqur me nivelin e higjienës që mbretëron në QKUK”.

QKUK pranon vazhdimisht rekomandime nga inspektorati e që kërkohet ngritje e nivelit sanitar. Por ato vërejtje që varen nga faktori njeri, dhe nuk kërkojnë ndonjë investim shtesë, ne mundohemi që t’i zbatojmë ato rekomandime, mirëpo e përsëris që prania e madhe e vizitorëve të shpeshtë ndikon shumë në uljen e higjienës”, bën të ditur Fazliu.

Por, Skënder Krasniqi kontraktuesi i kompanisë “Krasniqi”, kompani kjo për mirëmbajtjen e higjienës në QKUK, thotë se nuk i është kërkuar ngritja e nivelit të higjienës.

Unë çdo muaj marr raporte pune nga klinikat, ku unë i kam mbi 500 raporte pune, të gjitha pozitive”.

Grevat e kohëpaskohshme të punëtorëve, të cilët mbajnë higjienën brenda këtij institucioni, sipas zyrtarëve në QKUK-së, e vështirëson edhe më tej gjendjen higjienike.

Jo shumë kohë më parë, këta punëtorë kanë mbajtur grevë disa ditë me radhë, për të kërkuar kushte më të mira të punës si dhe rritje të pagave për ta.

Por zoti Krasniqi pohon se edhe pse punëtorët kanë qenë në grevë, kanë gjetur alternativa tjera për pastrim.

Këto ditë, edhe pse punëtorët e mi kanë qenë në grevë, unë kam angazhuar punëtorë shtesë, dhe gjithçka ka qenë në rregull”.

Sidoqoftë, zyrtarë shëndetësorë pohojnë se nga mostrat që merren vazhdimisht dhe dërgohen në laborator, nuk është vërejtur ndonjë infeksion që do të ndikonte drejtpërdrejt në shëndetin e pacientëve.
XS
SM
MD
LG