Ndërlidhjet

Bogdanoviq: Prishtina nuk ma lejoi hyrjen në Kosovë


Policia e Kosovës
Policia e Kosovës
Organet e rendit në Kosovë do ta shtojnë praninë dhe do të marrin të gjitha masat e sigurisë ditën e enjte, më 28 qershor, kur komuniteti serb pritet të shënojë në Graçanicë dhe Gazimestan festën e ashtuquajtur “Vidovdan”, e cila ndërlidhet me 623-vjetorin e Betejës Mesjetare të Kosovës.

Këtë e ka konfirmuar edhe ministri i Brendshëm i Qeverisë së Kosovës, Bajram Rexhepi, i cili ka deklaruar se grupeve serbe, të njohura si ekstreme, nuk do t’iu lejohet hyrja në Kosovë.

Ndalesa e tillë, sipas ministrit Rexhepi, do të vlejë edhe për ministrin për Kosovën, në Qeverinë në largim të Serbisë, Goran Bogdanoviq, i cili më parë ka paralajmëruar ardhjen në Kosovë dhe ka kërkuar leje përmes misionit evropian për sundimin e ligjit - EULEX.

“Realisht, ne kemi disa të dhëna se disa grupe, që janë vetë në Serbi ilegale - disa grupe, qoftë ato çetnike, si ‘Obraz’, si e quajnë ata ose ‘1389’-shi, janë disa tifozë huliganë të ‘Cërvena Zvezdës’, ‘Delije’ dhe shumë të tjerë - dhe ne do t’i ndalojmë të gjithë ata dhe atyre nuk do t’iu lejojmë që ta kryejnë këtë pelegrinazh”.

“Po ashtu, ndalesa është edhe për ish-ministrin për Kosovë, Bogdanoviq, për arsye se në të kaluarën nuk u është përmbajtur udhëzimeve tona që të mos bëjë deklarime politike. Kështu që, atij i është ndaluar hyrja”,
ka deklaruar Rexhepi.

Ndalimin për të hyrë në Kosovë, të cilin ia kanë bërë autoritetet e Kosovës, e ka konfirmuar për Radion Evropa e Lirë edhe vetë Goran Bogdanoviq, ministër për Kosovën i Qeverisë në largim të Serbisë. Ai ka thënë se arsyeja e moslejimit të hyrjes së tij në Kosovë është për shkak se ai i mbështet institucionet paralele serbe në Kosovë.

“Kjo është arsyeja, por mendoj se një gjë e tillë është aq ironike sa nuk e kuptoj një formë të tillë të përgjigjes. Nuk mundet askush që në atë mënyrë të më disiplinojë lidhur me atë se si do të sillem unë politikisht, se a do ta mbështes unë një opsion ose një tjetër, apo do t’i përfaqësoj interesat e komunitetit serb në Kosovë, për shkak se është e ditur se unë jetoj në Kosovë”, ka thënë ministri serb, Bogdanoviq.

Por, ministri i Brendshëm i Kosovës Bajram Rexhepi, ka paralajmëruar arrestimin e të gjithë atyre që hyjnë në Kosovë në mënyrë jolegale, përfshirë këtu edhe zotin Bogdanoviq.

“Ne kemi kërkuar që edhe EULEX-i ta kryej detyrën e vet, për arsye se kërkesa për leje përcillet përmes përfaqësuesit special. Ne e kemi refuzuar dhe duhet që edhe EULEX-i të mos e lejojë hyrjen, përveç nëse hyn në hyrje ilegale. Por, në asnjë mënyrë nuk do të ketë qasje në Gazimestan. Nëse hyn në mënyrë ilegale, kjo dënohet me ligj dhe kanë obligim që ta arrestojnë dhe ta deportojnë menjëherë (në Serbi)”, ka sqaruar Rexhepi.

Në anën tjetër, Bogdanoviq ka hedhur poshtë mundësinë, si dhe pohimet e mediave serbe, se ai me çdo kusht do të hyjë në Kosovë, për të marrë pjesë në kremten e “Vidovdanit”.

“Jam i njoftuar se në të gjitha vendkalimet kufitare u kanë dhënë instruksionet në formë të shkruar që të ma ndalojnë hyrjen. Kështu që , unë nuk dëshiroj që në çfarëdo mënyre t’i ngre tensionet ose çfarëdo tjetër. Ky nuk është qëllimi im”, është shprehur Bogdanoviq.

Ndryshe, ministri Rexhepi ka theksuar se hyrja në Kosovë nuk do t’ju lejohet vetëm atyre, për të cilët dyshohet se kanë qëllim nxitjen e problemeve, ndërkohë që, siç ka theksuar ai, të gjithë ata shtetas të Serbisë që kanë për synim të vizitojnë Graçanicën dhe Gazimestanin, për pelegrinazh, do t’ju lejohet hyrja dhe këtë mund ta bëjnë pa probleme.
XS
SM
MD
LG