Ndërlidhjet

Siri: Shpërthejnë përleshjet afër Damaskut


Siri...
Siri...
Forcat kryengritëse kanë vazhduar që të përleshen me trupat qeveritare në rrethina të Damaskut.

Luftimet e së mërkurës vijnë një ditë pasi që presidenti sirian Bashar al-Asad tha se vendi i tij ishte në “gjendje lufte” dhe urdhëroi qeverinë e tij të re që të drejtojë të gjitha përpjekjet kundër kryengritjes.

Siç e kam thënë në fjalimin tim në parlament, ne jetojmë në gjendje të vërtetë të luftës nga të gjitha këndet. Kur je në një gjendje të tillë, të gjitha politikat, të gjitha palët dhe të gjithë sektorët duhet të drejtohen në fitimin e kësaj lufte”, tha Asad.

Agjencia shtetërore e lajmeve, SANA tha se persona të armatosur e kanë sulmuar stacionin televiziv Ikhbaria në qytetin e Droushas, rreth 20 kilometra në jug të Damaskut. Raportohet për viktima. Ky televion është privat dhe mbështet regjimin e Asadit.

Ndërkohë, trupat e Gardës elite Republikane të Asadit janë përleshur me luftëtarët afër Damaskut, në ato që u përshkruan nga aktivistët si luftimet më intensive deri më sot.

Observatori sirian pro-opozitar për të Drejtat e Njeriut tha se përleshjet kanë shpërthyer afër kompleksit dhe bazave të gardës republikane në rrethinë të Kudsajes dhe Hamahit, rreth tetë kilometra nga qendra e Damaskut.

Luftime ka pasur rregullisht në rrethinat e kryeqytetit në mes të trupave qeveritare dhe opozitës gjatë 16 muajve të konfliktit sirian. Por, forcat e Asadit kanë pasur kontroll të plotë në Damask dhe rrallë ka pasur luftime afër bazave të gardës Republikane.

Luftimet vijnë, derisa Asadi po përballet me dezertime të profilit të larë në ditët e fundit, përfshirë, disa zyrtarë të lartë dhe ushtarë, që kanë ikur në Turqinë fqinje.

Edhe pse dezertimet e profilit të lartë duket se po rriten, qarku i brendshëm i Asadit, thuhet se në masë të madhe ka mbetur i paprekur.

Qeveria e re është emëruar në javën e kaluar, dhe ka dhënë betimin të martën. Ajo udhëhiqet nga Riad Farid Hijab, një lojalist dhe anëtar i partisë bathe në pushtet.

Ministrat e jashtëm, të mbrojtjes dhe të brendshëm kanë ruajtur postet e deritashme.

NATO është takuar të martën në Bruksel për të diskutuar rrëzimin e një aeroplani turk në javën e kaluar nga Siria.

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Anders Fog Rasmusen e dënoi sulmin dhe shprehu solidaritetin me Turqinë, por nuk foli për ndonjë aksion të armatsour kundër Sirisë.

Megjithatë, kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan, tha se forcat turke “do të reagojnë kundër të gjitha shkeljeve në kufijtë me Sirinë”.

Ai tha se helikopterët sirianë e kanë shkelur të paktën 5 herë së fundi hapësirën ajrore të Turqisë.

Trupat siriane po ashtu raportohet se kanë heshur granata në drejtim të refugjatëve, që kanë ikur në Turqinë fqinje.

Konflikti i përshkallëzuar pritet të jetë në krye të agjendës së sekretares amerikane të shtetit, Hillari Klinton, derisa ka nisur një udhëtim në tri vende evropiane.

Ajo pritet të vizitojë Finlandën, Letoninë dhe Rusinë, para një takimi mbi Sirinë që mbahet në Gjenevë, ku do të përfshihen pesë vendet e përhershme të Këshillit të Sigurimit dhe fqinjët e Sirisë.

Klinton pritet ta takojë ministrin e Jashtëm rus, Sergei Lavrov të premten në Shën Petërsbug për të diskutuar mbi takimin.

Shtetet e Bashkuara po i kërkojnë Asadit që të dorëhiqet, derisa Rusia, ka thënë se sirianët duhet të vendosin vetë se kush do të udhëheqë shtetin.

Rusia dëshiron që edhe aleati i Sirisë, Irani të ftohet në takimin e Gjenevës, por kundër kësaj është Uashingtoni.

Në Gjenevë, një ekip i Këshillit për të Drejtat e Njeriut, pritet të përditësojë një raport mbi masakrën e muajit të kaluar, ku 108 njerëz, shumica gra e fëmijë u vranë në fshatin e Houlas.(a.i.)
XS
SM
MD
LG