Ndërlidhjet

Human Rights Watch: Kodi i ri rrezikon lirinë e mediave


Human Rights Watch
Human Rights Watch
Qeveria e Kosovës duhet të ndërmarrë hapa urgjentë për të adresuar kërcënimin që nenet po ia bëjnë lirisë së mediave, që pavarësisht kundërshtimit në masë të gjerë, mbijetuan në kodin e ri penal, thotë organizata për mborjtjen e të drejtave të njeriut, Human Rights Watch.

Më 22 qershor, për herë të dytë, Kuvendi i Kosovës, dështoi që të heqë nga Kodi i ri Penal, nenet që kriminalizojnë shpifjen dhe i detyrojnë gazetarët të zbulojnë burimet e tyre, pavarësisht thirrjeve nga vetë qeveria, presidenca dhe gazetarët që ato të hiqen. Kodi aktual Penal përmban nene të njëjta.

Dështimi i Kuvendit për të adresuar nenet problematike nënkupton se gazetarët që raportojnë mbi figurat publike ose korrupsionin rrezikojnë të trajtohen si kriminelë. Qeveria duhet të ndërmarrë hapa për të mbrojtur lirinë e mediave dhe gazetarinë e pavarur në Kosovë”, ka thënë Lidia Gall, hulumtuese për Ballkanin dhe Evropën Lindore e Human Rights Watch.

Kuvendi i Kosovës fillimisht pat miratuar nenet kundërthënëse 37 dhe 38 të Kodit Penal më 20 prill. Më 8 maj, pas protestave të gazetarëve dhe organizatave të mediave, presidentja Atifete Jahjaga e ktheu ligjin për rishqyrtim në Kuvend.

Kryeministri Hashim Thaçi dhe zëvendëskryeministri e ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, kanë mbështetur publikisht heqjen e dy neneve. Por, vetëm 59 deputetë kanë votuar për heqjen e neneve kontestuese, duke dështuar të formojnë shumicën.

Menjëherë pas votimit të 22 qershorit, Kuçi ka dhënë dorëheqje. Sipas një raporti të mediave, Kuçi e ka shpjeguar vendimin duke thënë se “nuk dëshiron që të jetë dikush që minon lirinë e mediave”.

Presidentja ka thënë se kodi i ri është jokushtetues. Por, ajo nuk ka autoritet që ta kthejë një ligj për herë të dytë në Kuvend dhe qeveria nuk mund të bëjë amendamentime tjera, para se ligji të hyjë në fuqi më 13 janar të 2013-ës.

Kodi mund të sfidohet në Gjykatën Kushtetuese. Neni 113 i Kushtetutës së Kosovës ia lejon presidentit, Kuvendit, Qeverisë ose Ombudspersonit, që ta referojë ndonjë çështje që ka të bëjë me përputhshmërinë e ligjeve me kushtetutën në Gjykatën Kushtetuese.

I takon qeverisë që të tregojë përkushtimin dhe ta sigurojë lirinë e mediave, duke përdorur Gjykatën Kushtetuese për të adresuar nenet 37 dhe 38”, ka thënë Gall.

Përderisa nuk bëhet kjo, nenet kufizuese do të vazhdojnë të kenë efekt frikësues mbi gazetarinë në Kosovë”, ka thënë ajo.

Partia opozitare, Vetëvendosje ka ofruar një ligj tjetër për të mbrojtur burimet e gazetarëve.

Kjo meriton të shqyrtohet nga qeveria,” thotë Human Rights Watch.

Por, propozimet e tilla nuk janë zëvendësim i neneve problematike të vetë Kodit Penal, thekson HRW.(a.i.)
XS
SM
MD
LG