Ndërlidhjet

Irani fajëson "të huajt" për gjakderdhjen në Siri


Siri...
Siri...
Ambasadori i Iranit në OKB ka fajësuar të huajt për gjakderdhjen në Siri dhe ka mohuar ndonjë rol iranian. Mohamed Khazai gjithashtu tha se Irani është i gatshëm të luajë një rol në ndërmjetësimin e zgjidhjes së krizës në Siri.

"Një fakt shumë i rëndësishëm që nuk mund të injorohet nga dikush është ndikimi dhe roli konstruktiv që Republika Islamike e Iranit ka në rajon. Pra, nëse disa fuqi nuk duan të përfitojnë nga ky ndikim dhe roli konstruktiv, ky është problemi i tyre. Dhe ky është një tjetër tregues i neglizhimit të realitetit në terren. Prandaj, sipas mendimit tim, zgjidhja për krizën siriane është bashkëpunimi në mes të gjithëve, sidomos mes lojtarëve të mëdhenj në rajon, duke marrë për bazë një qasje të drejtë në këtë çështje“, tha Khazai.

Komentet e tij vijnë pasi ndërmjetësi ndërkombëtar për Sirinë, Kofi Anan, thirri një takim mbi krizën në Siri, i cili mbahet të shtunën në Gjenevë.

Anan tha se në takim do të marrin pjesë pesë anëtaret e përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, Bashkimi Evropian, fqinjët e Sirisë- Turqia dhe Iraku si dhe Kuvajti e Katari. Irani nuk u përmend.

Khazai tha se duke mos e ftuar Iranin, Perëndimi po e "neglizhon" Sirinë.

Sekretarja amerikane e Shtetit Hillari Klinton shprehu shpresën se takimi i Gjenevës mund të jetë një "pikë kthese" në krizën siriane.

Klinton tha në Helsinki, se plani i ri i Ananit, që vë kornizat për një tranzicion politik në Siri, do të rrisë presionin ndaj presidentit Bashar Asad.

Ndërkohë, ushtria turke ka vendosur një konvoj prej rreth 30 automjeteve ushtarake, ku përfshihen dhe armë kundërajrore dhe raketa, përgjatë kufirit të Turqisë me Sirinë.

Zyrtarët turq e kanë vlerësuar këtë zbarkim si “masë paraprake”, pak ditë pasi që një aeroplan turk u rrëzua nga Siria.

Kryeministri turk, Rexhep Tajip Erdogan ka tërhequr vërejtjen se në rast se ndonjë njësi ushtarake e Sirisë drejtohet ka kufiri dhe kërcënon, do ta shpallë atë si shënjestër ushtarake.

Ai ka thënë se Ankaraja nuk do të lejojë shkelje të tjera të Sirisë në kufi.

Brenda Sirisë, ndërkaq, sipas mediave shtetërore siriane, një ditë më parë, u sulmua një televizion qeveritar, dhe u vranë shtatë të punësuar.

Ministri sirian i Informacionit Orman al-Zubi jep hollësi.

Ata kanë kryer masakër të vërtetë kur i vranë gazetarët sirianë dhe civilët e punësuar në këtë ndërtesë. Ajo që ka ndodhur është masakër e vërtetë”, ka thënë al Zubi.

Shtëpia e Bardhë e ka dënuar sulmin.

Observatori për të Drejtat e Njeriut me Seli në Londër tha se rreth 150 njerëz janë vrarë në dhunën përgjatë Sirisë më 27 qershor.

Këshilli për të Drejtat e Njeriut i OKB-së, UNHCR, ka akuzuar edhe forcat e Asadit edhe kryengritësit për shkeljen e të drejtave të njeriut.

Shefi i ekipit hetues, Paulo Pinheiro – që e ka vizituar fshehtas Damaskun në javën e kaluar, ka thënë se ekipi i tij ka zbuluar se qeveria dhe milicia aleate e saj, janë përgjegjëse për vrasjen e civilëve, ndërkaq forcat opozitare, po i torturojnë ose ekzekutojnë ushtarët qeveritarë dhe të dyshuarit që iu ndihmojnë atyre.

Human Rights Watch ndërkaq, iu kërkoi autoriteteve siriane, që t’i japin fund vrasjes së civilëve që po ikin në Jordani dhe në vendet tjera fqinje.(a.i.)
XS
SM
MD
LG