Ndërlidhjet

Pensionistët në gjendje të rëndë ekonomike


Të moshuar në Kosovë

Të moshuar në Kosovë

Në Kosovë, 7 për qind e popullsisë së përgjithshme është e përbërë nga persona të moshës mbi 65 vjeçare.

Hulumtimi i fundit i bërë nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, lidhur me gjendjen socio-ekonomike të pensionistëve, tregon se kjo kategori e shoqërisë përballet me shkallë të lartë e varfërisë.

Naim Jerliu, specialist i shëndetit publik në IKSHP, i cili njëhësh edhe e ka udhëhequr këtë hulumtim, deklaron për Radion Evropa e Lirë se 90 për qind e moshës së tretë, apo moshës mbi 65 vjeç, të intervistuar, kanë thënë se të ardhurat e tyre nga pensioni mujor, nuk u mjaftojnë.

Në hulumtimin tonë, ka rezultuar se 90 për qind e të intervistuarve kanë deklaruar se të ardhurat e tyre nuk u mjaftojnë për nevojat e tyre mujore, derisa 73 për qind prej tyre kanë deklaruar se as të ardhurat e familjes nuk u mjaftojnë për shpenzimet e tyre”, thotë Jerliu.

Ai shton se hulumtimi ka pasur për qëllim sensibilizimin e institucioneve përgjegjëse, në mënyrë që të hartohen politika favorizuese për kategorinë e moshës mbi 65 vjeçare.

Kjo është shqetësuese dhe duhet të jetë brengosëse për vendimmarrësit në Kosovë. Hulumtimi ka pasur për qëllim të shërbejë për hartim të politikave që kanë të bëjnë me pleqtë, e që si të tillë, e përbëjnë rreth 7 për qind të popullatës në Kosovë”, shprehet Jerliu.

Ndërkaq, Hamdi Tasholli, nga Organizata e Invalidëve të Punës, pohon se gjendja aktuale e pensionistëve është mjaft e rëndë, derisa shton se mungon edhe përkujdesja institucionale.

Gjendja e të moshuarve ose e pensionistëve pa pensione është e mjerueshme dhe çka është më e keqja, asnjë nga organet kompetente nuk i kanë vënë aspak kujdes, madjee janë anashkaluar dhe në përgjithësi gjendja është e rëndë në aspektin ekonomik dhe shëndetësor”.

Gjithashtu, vetmia është një problem, sepse nuk është ndërtuar ndonjë infrastrukturë ku do të kujdeseshin për pleqtë. Kjo do të jetë me pasoja afatgjate sepse kemi shumë pleq të lidhur për shtrati, dhe nuk janë në gjendje të lëvizin dhe përpos familjarëve duhet të kujdeset edhe institucionet”, thotë Tasholli.

Ndërkaq, edhe vetë pensionistët flasin për hallet e tyre. Haki Krasniqi, 70 vjeçar, thotë se pensioni mujor që e merr nuk i del as për barna.

Në 1996-n kam dalë në pension. Tetëdhjetë euro tash i marr, para se të dilja në pension, i dëgjoja pleqtë duke thënë që as barna nuk të dalin të blesh, me të vërtetë s’po të dilnin as për barna”.

Shemsedin Hakiu, 85 vjeçar, thotë se përpos kushteve të vështira ekonomike, i mungon edhe përkujdesja e familjes si dhe institucioneve.

Unë i kam 85 vjet. Fëmijët janë martuar dhe i kanë familjet e veta. Edhe jo veç këtu, por është venitur dashuria ndaj j prindërve, qysh ka qenë përpara. Kemi ardhur në aso situate, që pleqtë janë shumë të anashkaluar. As shteti nuk kujdeset për ta”.

Sidoqoftë sipas Naim Jerliut të IKSHP-së, kjo kategori e shoqërisë, sidomos në vitet e fundit , po përballet me gjendje të rëndë dhe se institucionet përgjegjëse duhet merren seriozisht me këtë çështje.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG