Ndërlidhjet

Pas marrëveshjes së BE-së, rriten aksionet evropiane


Samiti i BE-së

Samiti i BE-së


Aksionet evropiane janë rritur dukshëm në hapje të tregjeve të premten, derisa liderët e eurozonës janë pajtuar që të ndërmarrin veprime urgjente për të ulur borxhet e Italisë dhe Spanjës dhe për të krijuar një trup unik mbikëqyrës për bankat e eurozonës.

Indeksi FTSE 100 i Londrës ka shënuar rritje për 1.74 për qind, derisa DAX 30 i Frankfurtit kërceu në 2.39 për qind, si dhe CAC 40 në Paris u rrit për 2.86 për qind.

Indeksi në Madrid u rrit për më shumë se katër për qind me hapjen e tregjeve të premten, derisa në Milan, indeksi i aksioneve u rrit për 3 për qind.

Rritja e aksioneve u pasua nga një marrëveshje e arritur gjatë natës në samitin e BE-së mbi lehtësimin e krizës së borxheve në eurozonë.

Marrëveshja vjen, pasi që Spanja dhe Italia tërhoqën kundërshtimet e tyre për pakon e rritjes prej 150 miliardë dollarësh, duke mundësuar kalimin e saj.

Liderët e 17 vendeve të eurozonës u pajtuan që ta përdorin paketën e ndihmës së Bashkimit Evropian për dërgimin e fondeve direkt në bankat që kanë vështirësi.
Ata thanë se rekapitalizimi i bankave mund të jetë i zbatueshëm vetëm “nën kushte të rrepta”.

Presidenti i Këshillit të Evropës, Herman Van Rompej, këtë marrëveshje e ka vlerësuar si “kthesë me të cilën bankat mund të rikapitalizohen direkt”.

Ne ramë dakord për diçka të re, që është një zbulim i madh, që bankat mund të rikapitalizohen direkt në rrethana të caktuara dhe kushti më i madh i rëndësishëm është se ne duhet të vendosim një mekanizëm mbikëqyrës", tha Rompej.

Liderët e eurozonës, po ashtu, u pajtuan që vendet e Bashkimit Evropian, që u përmbahen rregullave të buxhetit, mund të kërkojnë ndihma me kushte jo të ashpra.

Kjo ua hap rrugën ndihmave emergjente të Romës e Madridit.

Von Rompej tha se kjo nënkupton se nuk do të ketë ndonjë shtet që do t’i nënshtrohet vështirësive, për shkak të kushteve të ashpra të vendosura më parë nga BE-ja, pasi që kanë marrë pako shpëtimi, siç ishte rasti i Greqisë.

Më herët, kundërshtimi nga ana e Spanjës dhe Italisë ka rritur frikën e dështimit të samitit dy-ditor, i cili kishte për qëllim që të shtronte rrugën për integrim më të thellë ekonomik dhe për t’i dhënë fund krizës së gjatë financiare të Evropës.

Por, në fund, liderët e BE-së janë pajtuar në atë që e kanë quajtur “ndërtimi i katër blloqeve” për një bashkim me të integruar evropian, derisa detajet do të dalin në muajin tetor.

Van Rompej tha se raporti i tetorit do të jetë “një hartë specifike me afate kohore” për arritjen e bashkimit të mirëfilltë ekonomik dhe monetar - duke e bërë euron, “një projekt të pakthyeshëm”.

Ndërtimi blloqeve është hedhur në një dokument gjithëpërfshirës që u paraqit nga Van Rompej dhe kolegët e tij gjatë kësaj jave. Aty përfshihet ndarja e borxhit në formën e eurobonove të lëshuara bashkërisht.

Presidenti i Komisionit Evropian Hoze Manuel Barroso tha se pakti i propozuar tregon një angazhim të fortë të vendeve të eurozonës për të qëndruar prapa monedhës së vetme:

"Unë mendoj se është, në fakt, një vendim shumë ambicioz që tregon edhe një herë, angazhimin e shteteve anëtare, kryesisht atyre në eurozonë për pathyeshmërinë e euros dhe unë mendoj se ky vullnet do të njihet nga të gjithë”, tha Barroso.

Kancelarja gjermane Angela Merkel ka thënë se është “shumë e kënaqur se kemi marrë vendimi mbi rritjen ekonomike”.(a.i.)
XS
SM
MD
LG