Ndërlidhjet

Krahu nacionalist serb rrezikon dialogun


Ilustrim
Ilustrim
Krijimi i qeverisë së re në Serbi që përmendej, deri më tani, si parakusht për vazhdimin e dialogut Prishtinë-Beograd, hyri të enjten në fazën e parë me emërimin e mandatarit për themelimin e saj-kreut të Partisë Socialiste, Ivica Daçiq.

Drita jeshile për formimin e kabinetit të ri qeveritar të shtetit serb iu dha këtij të fundit nga presidenti Tomisllav Nikolliq.

Me ardhjen e Nikolliqit në pushtet janë dëmtuar planet e Kosovës dhe të Bashkimit Evropian për vazhdimin e dialogut me palën serbe, vlerëson Grupi për Studime Juridike dhe Politike në raportin me titull “Dialogu Kosovë-Serbi dhe ndryshimet në lidershipin politik në Serbi: Të gatshëm për të vazhduar, por jo të përgatitur për progres”.

Gjatë prezantimit të këtij raporti, përfaqësues të Qeverisë së Kosovës, anëtarë të partive opozitare dhe njohësit e rrethanave politike në vend, diskutuan arritjet e deritashme në dialogun Prishtinë-Beograd dhe folën për zhvillimet eventuale në këtë proces pas vendosjes së qeverisë së re serbe.

Zëvendësministri i Punëve të Jashtme i Kosovës, Ibrahim Gashi, tha se dialogu do të vazhdojë meqë synim kryesor i palës kosovare mbetet normalizimi i raporteve me fqinjin e saj verior dhe avancimi në procesin e integrimit evropian.

Normalizimi i raporteve ndërmjet të dyja shteteve, sipas tij, mund të ndodhë vetëm kur edhe në Beograd të ekzistojë vullneti politik për të.

“Kosova po tregon vullnetin dhe gatishmërinë e saj për t’i shkuar procesit të normalizimit deri në fund edhe me koston e hyrjes në një proces të ripajtimit midis të dy popujve pas asaj që ka ndodhur. Por, nuk është e gatshme që me çdo kusht procesin e funksionimit të shtetit të vet ta ketë të ndërlidhur dhe të ndërvarur nga politika që mund të ndërrohen çdo katër vjet ose më shpesh në Beograd”, u shpreh Gashi.

Një pjesë e opozitës, ndërkaq, shprehu kundërshtimin e saj për të biseduar me Serbinë përderisa ajo nuk njeh pavarësinë e Kosovës.

Hysen Durmishi nga Lëvizja Vetëvendosje tha se në fazën e ardhshme të dialogut, sipas të gjitha gjasave, në krye të agjendës së diskutimeve do të vijnë çështjet e brendshme të Kosovës - gjë, që sipas tij, është e papranueshme.

“Nuk bën të bëhet dialogu dhe marrëveshjet me Serbinë, sepse çfarëdo marrëveshje me Serbinë çon në një dialog të ardhshëm me Serbinë, i cili do të jetë i pandalshëm, do të jetë i vazhdueshëm dhe gjithmonë do të jetë për çështje të brendshme të Kosovës dhe gjithmonë do të jetë i dëmshëm për Kosovën dhe për qytetarët e saj”, theksoi Durmishi.

Mirëpo, analisti Behlul Beqaj tha se pa u zgjidhur problemet ndërmjet Kosovës e Serbisë, Prishtina zyrtare nuk mund të arrijë progres në procesin e integrimit të saj në Bashkimin Evropian.

“Marrëveshja me Serbinë do të jetë, sipas mendimit tim, më e rëndësishme, madje edhe më e rëndësishme se përmbushja e obligimeve që i ka Kosova karshi udhërrëfyesit dhe Serbia karshi obligimeve që i ka marrë për anëtarësim në BE”, tha Beqaj.

Dialogu i ndërmjetësuar nga Brukseli në mes të Prishtinë e Beogradit pati nisur në mars të vitit të kaluar për të rezultuar, deri më tash, me shtatë marrëveshje brenda nëntë raundeve të diskutimeve.
XS
SM
MD
LG