Ndërlidhjet

logo-print

Celularët: Afër 200 milionë euro shpenzime më 2011


Ilustrim

Ilustrim

Sipas shifrave zyrtare në Kosovë afër 1.5 milion banorë përdorin telefoninë mobile të operatorëve të ndryshëm që veprojnë në vend, ndërsa vetëm gjatë vitit të kaluar për telefoni mobile konsumatorët kanë shpenzuar afër 200 milionë euro, apo 11.23 euro ka harxhuar një përdorues në muaj.

Por, sipas të dhënave të Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, në tremujorin e parë të këtij viti, mesatarja e të hyrave për përdorues për një muaj ka rënë në 9.81 euro.

Sidoqoftë, sipas statistikave zyrtare 1.7 milion është numri i banorëve që jetojnë brenda vendit, kurse kur merret parasysh numri i përdoruesve të telefonisë mobile, rezulton se vetëm 200 mijë banorë nuk janë shfrytëzues të telefonave celularë.

Edhe disa qytetarë thonë se celulari është bërë mjet i pandarë dhe janë bërë të varur nga ai. Njëri nga ta është Adem Smajli, nga Mitrovica.

Në familjen e tij nëntë-anëtarëshe, ai tregon se vetëm tre fëmijët nën pesë vjeç, nuk posedojnë celularë.

“Në familjen time kemi gjashtë telefona mobilë. Shpenzimet në muaj shkojnë nga 5 deri në 10 euro për person, këtë e konstatojë se asnjërit nga anëtarët e familjes nuk i skadon afati. Shikuar në tërësi të telefonisë fikse, mobile dhe internetit, është një shpenzim enorm për xhepin dhe ekonominë familjare të qytetarëve kosovarë”, thotë Smajli.

Fedi Zeqiri, rreth të 30-ve, nga Prishtina, përdor dy numra të operatorëve legal në Kosovë. Ai thotë se për një muaj shpenzon deri në 50 euro.

“Çmimet janë të shtrenjta. Duke marrë parasysh të ardhurat mujore, çmimet janë të larta. E përdori për biseda, mesazhe, internet më pak, për të gjitha këto shërbime në muaj paguaj prej 40 deri në 50 euro”, tregon Fedi.

Edhe i riu tjetër, Blerim Haxhiu, thotë se shpenzon mbi 150 euro në vit për shfrytëzimin e celularëve:

“Përdori dy numra të telefonit, shpenzoj deri në 15 euro. E përdori për biseda me familje dhe shoqëri”.

Në anën tjetër, ekspertë për çështje ekonomike vlerësojnë se shuma e shpenzuar për telefona celularë bie ndesh me situatën sociale në vend, por kur merret parasysh shekulli, në të cilin jetojmë, vlera e shpenzuar është reale.

Eksperti i çështjeve ekonomike, Ibrahim Rexhepi, megjithatë konsideron se jo të gjithë qytetarët shpenzojnë shuma të larta në telefon, por, sipas tij, bizneset janë ata që përdorin më tepër telefonin celular.

“Kjo shifër e shpenzimeve nuk flet shumë për strukturën e shpenzuesve. Meqenëse nuk mund të themi se këtë vlerë e ka dikush që nuk ka të hyra mujore. Kështu unë jam i bindur se më tepër të tërheqin kategoritë e biznesit dhe strukturat e ndryshme intelektuale, se sa bëhet fjalë për një shtrese mesatare të shoqërisë kosovare”, shprehet Rexhepi.

Ndryshe, në Kosovë veprojnë katër operatorë mobil “ Vala”, Ipko”, Z-Mobile” dhe “D3”.

Bazuar në të dhënat e Autoritetit Rregullator të Telekomunikacionit, në këta operatorë përveç rreth 200 milionë eurosh që qytetarët kanë shpenzuar për telefoni mobile, edhe afër 20 milionë euro të tjera i kanë shpenzuar për telefoni fikse vetëm gjatë vitit të kaluar.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG