Ndërlidhjet

Përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës i janë kundërpërgjigjur mandatarit për formimin e qeverisë së re të Serbisë, Ivica Daçiq, i cili kishte deklaruar se do të angazhohet për kthimin e forcave serbe të sigurisë në Kosovë.

Këtë deklaratë Daçiq e kishte bërë një ditë pas kremtes së Vidovdanit ose Betejës Mesjetare të Kosovës, ku u shënuan disa incidente ndërmjet serbëve të ardhur nga Serbia, dhe pjesëtarëve të Policisë së Kosovës.



Ministri i Punëve të Brendshme, Bajram Rexhepi, në një prononcim të shkurtër për Radion Evropa e Lirë, tha se deklaratat e tilla nuk janë asgjë tjetër, pos, siç i quajti ai, fontanë dëshirash.
Ajo çka është deklaruar është fontanë dëshirash edhe iluzion i Daçiqit...

“Ajo çka është deklaruar është fontanë dëshirash edhe iluzion i Daçiqit - këtë mund ta them shkurt”, deklaroi për Radion Evropa e Lirë ministri Rexhepi.

Daçiq, para se të marrë mandatin për formimin e qeverisë së re në Serbi, ka ushtruar postin e zëvendëskryeministrit dhe ministrit të Punëve të Brendshme.

Ndryshe, njohësit e zhvillimeve politike dhe të çështjeve të sigurisë, thanë se Daçiq me deklarata të tilla, në vazhdimësi i ka provokuar institucionet e Kosovës.

Eksperti për çështje të sigurisë, Nuredin Ibishi, vlerësoi se deklarata e fundit e Daçiqit karshi Kosovës, është një kërcënim i drejtpërdrejtë për institucionet e vendit.
Kjo bëhet në mënyrë që të paralajmërojë një opinion të ri për një qeveri ultra-radikale çfarë është aktualisht në Serbi, që do të mbrojë Kosovën me çdo kusht.

“Këtë duhet kuptuar si një kërcënim direkt. Kjo mendoj që është një deklaratë se Daçiq si një mandatar për formimin e qeverisë se re në Serbi, të ushqejë atë nacionalizimin dhe optimizmin serb. Kjo, po ashtu, bëhet në mënyrë që të paralajmërojë një opinion të ri për një qeveri ultra-radikale çfarë është aktualisht në Serbi, që do të mbrojë Kosovën me çdo kusht”, vlerësoi Ibishi.

Megjithatë, Ibishi, tha se, si institucionet e Kosovës, ashtu edhe ato ndërkombëtare që janë në vend, duhet të kenë kujdes, pasi që, sipas tij, ende funksionojnë struktura ilegale serbe në veri të Kosovës.

“Edhe ne, edhe bashkësia ndërkombëtare duhet të jemi të kujdesshëm, që realisht ai mund të ndërmarrë disa veprime jo ndoshta me ndërhyrje direkte me forcat speciale, mirëpo të vazhdojë me incidente në kufij, e normalisht edhe me strukturat paralele”.

“Këto mesazhe janë më tepër që t'i ushqejë nacionalistët serbë në këtë moment. Këtë sistem të tij të paralajmërimit mund ta realizojë nëse vazhdon mbajtja e strukturave paralele, qoftë të MUP-it, qoftë edhe të strukturave të tjera”
, theksoi Ibishi.

Pas shënimit të Betejës Mesjetare të Kosovës që sivjet u shënua 623-vjetori, zyrtarët e Ministrisë së Punëve të Brendshme të Kosovës bënë të ditur se 32 pjesëtarë të policisë pësuan lëndime përderisa po shoqëronin nga Kosova për në Serbi një grup serbësh te pika kufitare në Merdar.

Në anën tjetër, mediat serbe atë dite njoftuan se 13 qytetarë serbë morën lëndime gjatë përleshjeve me Policinë e Kosovës.

"Vidovdani" i ngritjes dhe rënies në politikën serbe
  • 16x9 Image

    Arton Konushevci

    Arton Konushevci merret me gazetari që nga viti 2001. Në vitin 2007 ka filluar të punojë si korrespondent i Radios Evropa e Lirë. Jeton në Prishtinë, është i martuar dhe ka dy fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG