Ndërlidhjet

Maqedoni: Ligji i ri i punës godet shtresën e ulët


Shkup - foto nga arkivi

Shkup - foto nga arkivi

Ligjit për punësim dhe sigurim në rast të papunësisë, i cili është në procedurë parlamentare, është kritikuar ashpër nga opozita, duke e cilësuar të njëjtin si ligj që shkurton të drejtat e qytetarëve të Maqedonisë, meqë krijon shumë arsye ligjore për të fshirë të papunësuarit në Maqedoni nga lista e Agjencisë për Punësim.

Por, ministri i Punës dhe Politikës Sociale, në Maqedoni, Spiro Ristovski është zotuar se askush nuk do të fshihet nga evidentimi. Sipas tij, me ndryshimet e ligjit do të vendosen dy lloje të evidentimit - evidentim i personave, të cilët në mënyrë aktive kërkojnë punë dhe evidentimi i personave që nuk kërkojnë punë aktivisht, ndërsa mbesin të evidentuar në listën e Agjencisë për Punësim, për shkak të heqjes së të drejtave tjera sociale.

“Evidentime të tilla ekzistojnë në mbi 25 vende të BE-së, këtë e ka kërkuar nga ne edhe Banka Botërore që në vitin 2006”, ka sqaruar ministri Ristovski.

Ndërkohë, ekspertët vlerësojnë se jetësimi i një ligji të këtillë, është vështirë i implementueshëm në kushte të tregut të punës siç është Maqedonia, ku papunësia sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, arrin shifrën 32 për qind nga numri përgjithshëm i popullsisë.

Biljana Jovanovska, ish-drejtoreshë e Agjencisë për Punësim, ka thënë se me propozimin e qeverisë që të bëhet dallim mes kërkuesve pasivë dhe atyre aktivë të punës, krijohet një term për një valë të re të papunësuarve.

“Cili është qëllimi i qeverisë të gjejë rrugë shpëtimi nga 100 të papunët që do të regjistrohen në Entin për Punësim, meqë brenda vitit u skadon afati 5 vjeçar i shfrytëzimit të benifiteve nga projekti qeveritar për vetëpunësim?!”.

“Gjithashtu, kalon dhe periudha e atyre 5 viteve për studime, një pjesë e madhe e të rinjve diplomuan dhe magjistruan, andaj e pashmangshme është periudha deri në fund të vitit që ata përmes evidentimit si të papunë në Agjencinë për Punësim nga Qeveria të kërkojnë atë që u është premtuar dhe të drejtën kushtetuese të punës”, ka thënë Jovanovska.

Ndërkaq, Visar Ademi, ekspert i ekonomisë, është shprehur se me Ligjin e ri për punësim qeveria tenton të fshehë dështimet sa i përket zhvillimit ekonomik, duke u shndërruar në punëdhënësin kryesor në vend.

Situata aktuale, ka thënë Ademi, dëshmon se është kaluar vija e kuqe për të mbajtur në kurriz buxheti punësimet e panevojshme në administratë.

“Fuqia absorbuese e sektorit privat ose industrisë lokale, është shumë e vogël për të pranuar valën në rritje të të papunësuarve. Dihet se në Maqedoni mbi 90 për qind janë kompani të vogla ose të mesme, që përfshijnë 20 për qind të punësimeve dhe ato e kanë fuqinë e vogël absorbuese - gjithë këtë fuqi punëtore që tanimë është në tregun e punës”.

“E dyta është se të gjitha ato kompani të mëdha që i proklamonte qeveria se do t’i sjell në Maqedoni, ose nuk erdhën fare ose kur erdhën, modeli i tyre i biznesit fokusohet drejt automatizimit të procesit të prodhimit, ose në teknologji, ku kapitali njerëzor është shumë pak i dëshirueshëm”
, ka theksuar Ademi.

Duke komentuar dispozitën ligjore, me të cilën parashihet dënim deri në 200 euro për të gjithë ata që do të “kapen duke punuar në të zezën”, nga Inspektorati për punë, Biljana Jovanovska ka thënë se shtresa më e ulët goditet dyfish. E para, se nuk arrin të gjejë punë dhe kur punon sa për kafshatën e gojës, ato para do të shkojnë në arkën shtetërore.

“Mendoj se nuk është njerëzore të dënohen ata, të cilët me çdo kusht mundohen të sigurojnë bukën e gojës. Gjithsesi duhet respektuar rregullat e tregut të punës, po për këtë duhet të vetëdijesohen punëdhënësit dhe njëherësh vetë shteti të angazhohet për stimulimin e mirëfilltë të zhvillimit të biznesit të vogël dhe atij të mesëm”, është shprehur Jovanovska.

Ndryshe, po sipas të dhënave të Entit Shtetëror të Statistikave, në numrin e përgjithshëm të të papunëve që arrin shifrën 32 për qind, në rritje është numri i atyre që kërkojnë punë me arsim të lartë. Në listën e të papunëve në muajin maj të vitit 2012 ka 21.000 qytetarë akademikë, 607 magjistra dhe 17 njerëz me doktoratë.
XS
SM
MD
LG