Ndërlidhjet

VOX

Qyteti pa aktivitete për të rinj


Pamje në Prishtinë...

Pamje në Prishtinë...

Gjatë sezonit veror kur të rinjtë kanë kohë për aktivitet të lira, kryeqyteti hesht dhe nuk ka asnjë aktivitet kulturor për t’i ofruar kësaj kategorie të shoqërisë, thonë disa të rinj për rubrikën tonë të përjavshme VOX.



Një situatë e tillë, e cila ka vjet që ndodh, duket se nuk u bën përshtypje autoriteteve përgjegjëse, thotë Dije Ferati nga Prishtina, duke shtuar se parku i Gërmisë mbetet vendi i vetëm ku e kalon kohën e lirë.

“Sikur të mos ishte parku i Gërmisë, do të mbeteshim brenda katër mureve të banesës. Sezoni veror në Prishtinë s’ka aktivitete dhe gjallëria e qytetit venitet. Studentët dhe nxënësit e gjallërojnë jetën e kryeqytetit, mungesa e tyre e pasivizon çdo aktivitet, ndërsa Ministrisë së Kulturës, sikur nuk i bie ndërmend t’i ofrojë rinisë ndonjë aktivitet shtesë sezonal”, thotë Dija.

Edhe Gëzimi, një i ri nga Komuna e Klinës, thotë se në qytetin e tij nuk ka ndonjë veprimtari kulturore, kështu që alternativa e vetme për të kaluar kohën e lirë, mbeten lokalet e ndryshme.

“Dalim shëtisim në Klinë, nëpër lokale me shoqëri”, shprehet Gëzimi.

Yllka Gashi është studentet në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës. Ajo tregon se gjatë sezonit veror merret me disa aktivitete, por që edhe viziton zonat turistike që posedon Kosova.

“Merrem me aktivitete të lira sportive, dhe përgatitemi për provimet e afatit të ardhshëm. Kur kemi kohë, dalim me shoqëri nëpër lokale në mbrëmje. Ndërsa, gjatë vikendeve, me familje shkojmë në Grykë të Rugovës, Istog, vizitojmë vende të ndryshme turistike që ka vendi ynë”, tregon Yllka.

Por, i riu tjetër rreth të 25-ve, Jetoni nga Mitrovica, thotë se në qytetin e tij nuk ka ndonjë organizim, kështu që ai me shokë organizohen dhe dalin të luajnë futboll:

“Gjatë kohës së verës punoj, por kohën e lirë e kaloj duke luajtur futboll me shoqëri”.

Albana Elshani, sapo ka përfunduar shkollën e mesme në Prishtinë. Ajo thotë se është duke u përgatitur për provimin pranues në Universitetin e Prishtinës. Albana thotë se sikurse viteve tjera, edhe gjatë kësaj sezone kohën e lirë do ta kalojë në njërën nga bibliotekat e kryeqytetit.

“Shumicën e kohën e kaloj në bibliotekën e qytetit tim. Lexoj libra të ndryshëm. Pastaj kohën e lirë e kaloj me shoqëri, qoftë në lokale apo pishina të ndryshme”, pohon Albana.

Ndërsa, Fatlinda Gashi është nga qyteti i Skënderajt. Ajo studion në Fakultetin e Edukimit, por pas përfundimit të ligjëratave dhe provimeve ajo kthehet në vendlindje. Fatlinda thotë se është me fat pasi autoritetet komunale organizojnë aktivitete të ndryshme rinore.

“Zhvillojmë aktivitetet sportive si volejboll, basketboll, futboll. Gjatë mbrëmjes zakonisht dal të relaksohem, shkojmë edhe në pushime verore”, thotë Fatlinda.

I riu tjetër, Bekim Hasani, thotë:

“Dalim shëtisim me shokë, vizitojmë të afërmit...”.

Por, Rrustem Meha, thotë se gjatë sezonit veror punon për t’i financuar studimet në një nga kolegjet private në Prishtinë. Kështu që ai, thotë se nuk ka kohë për aktivitete të lira.

“Unë punoj. Pas pune studioj në universitetin Fama. Dal shumë rrallë, sepse nuk kam kohë”, thotë Meha.
  • 16x9 Image

    Nadie Ahmeti

    Me profesionin e gazetarisë ka filluar të merret që prej vitit 2000, kurse Radios Evropa e Lirë i është bashkuar në vitin 2001. Kryesisht mbulon çështjet ekonomike dhe sociale, për çka edhe i janë ndarë disa mirënjohje.

XS
SM
MD
LG