Ndërlidhjet

Pa progres të theksuar në të bërit biznes


Banka Botërore - foto nga arkivi
Banka Botërore - foto nga arkivi
Raporti i fundit i Bankës Botërore për vitin 2012, i quajtur “Të bërit biznes në Evropën Lindore”, ka radhitur Kosovën në vendin e 117-të, pa asnjë ndryshim nga viti 2011.
Sipas ekspertëve të çështjeve ekonomike, Kosova nuk ka arritur të shënojë progres të theksuar në përmirësimin e ambientit afarist, që nga raporti i fundit i Bakës Botërore “Të bërit biznes”, i publikuar në vitin e kaluar.

Eksperti i ekonomisë, Haki Shatri, thotë për Radion Evropa e Lirë se edhe raporti i ardhshëm nuk do të tregojë përmirësim në të bërit biznes, por, që, sipas tij, do të renditet edhe më poshtë.

“Asgjë konkrete nuk është bërë në përmirësimin e ambientit afarist. Argumentet janë të thjeshta, fjalën e kam tek ambienti afarist. Është siguria, funksionimi i rendit dhe ligjit e që në këtë pikë nuk ka asnjë përmirësim”, thotë Shatri.

Këto dukuri, të cilat janë të pranishme dhe e rëndojnë ambientin afarist, sipas Shatrit, nuk janë duke u luftuar dhe nuk ka vullnet për t’i luftuar. Shatri thekon se këto dukuri po ndikojnë në bizneset e përgjegjshme. Fusha e prokurimit, siç thekson Shatri, është fusha ku më së shumti nuk respektohen procedurat, gjë që bën t’i penalizojë bizneset formale.

“Kemi ekonominë joformale që është duke u forcuar dhe nuk po eliminohet dhe po i bëhet konkurrente ekonomisë formale, duke i bërë konkurrencë jo fer. Krimi ekonomik dhe ai i organizuar, po ashtu, po e ndotin ambientin biznesor”, thekson Shatri.

Mendime të ndryshme japin edhe përfaqësuesit e Odës Ekonomike Amerikane në Kosovë. Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike Amerikane të Kosovë, Arian Zeka, thotë për Radion Evropa e Lirë se pret që sivjet Kosova në raportin e Bankës Botërore të ketë renditje më të mirë, edhe pse vitin e kaluar ka pasur rënie të pozitave në të gjithë indikatorët e të bërit biznes.

“Unë shpresoj që së paku në disa indikatorë të këtij raporti, siç është zbatimi i kontratave, do të kemi një lëvizje pozitive, pasi që tani janë funksionalizuar edhe mekanizmat për zgjidhjen alternative të kontesteve. Gjithashtu, unë pres që në indikatorët e tjerë siç është tregtimi përtej kufijve, do të ketë po ashtu përmirësim pozitiv për shkak të zgjidhjes së problemeve që kanë ekzistuar brenda Marrëveshjes për Tregti të Lirë të njohur si CEFTA”, shprehet Zeka.

Sipas Arian Zekës, ndoshta Kosova do të ketë përmirësim në indikatorin e sigurimit të lejeve të ndërtimit, për shkak të projekt-ligjit për ndërtim, i cili parasheh procedura përshpejtimi për marrjen e lejeve.

“Ajo çka nuk pres që do të ketë përmirësim, është indikatori i mbrojtjes së investitorëve dhe regjistrimi i pronave, pavarësisht disa ligjeve që janë bërë në këtë drejtim”, shton Zeka.

Raporti “Të bërit biznes” përfshin 183 shtete, ku klasifikon ekonomitë në 10 fusha të rregullave të biznesit, duke filluar nga hapja e një biznesi, zgjidhja e çështjes së falimentimit dhe tregtisë ndërkufitare.

Në disa nga këto 10 aspekte, Kosova ishte renditur më mirë, ndërsa në disa ka nevojë për reforma.

Aty ku Kosova duhet të përkushtohet më shumë, ishte përmirësimi në nisjen e një biznesi, pasi në këtë aspekt ishte radhitur në vendin e 168-të, si dhe në mbrojtjen e investitorëve, pasi në këtë fushë ishte renditur e 174-ta.
XS
SM
MD
LG