Ndërlidhjet

Euro 2012: Finale e madhe


Ekipi i Spanjës dhe ai i Italisë ndeshen të dielën më 1 korrik...
Ekipi i Spanjës dhe ai i Italisë ndeshen të dielën më 1 korrik...
Takimi final i Kampionatit evropian të Futbollit “Euro 2012”, i cili ditën e diel zhvillohet në Kiev të Ukrainës, në Kosovë po pritet me interesim të madh.

Ekspertët e futbollit, por edhe gazetarët kosovarë, dashamirë të futbollit, të cilët i kanë përcjellë rrjedhat e këtij kampionati, vlerësojnë se kombëtarja spanjolle dhe ajo italiane, të cilat do të luajnë ndeshjen finale, janë plasuar me meritë deri në stadin më të lartë të kësaj gare, pavarësisht se ka pasur mjaft skuadra, që kanë treguar lojë të mirë dhe të denjë për t’u kualifikuar në finale.

Arbnor Morina, trajner i futbollit, vlerëson se në takimet gjatë këtij kampionati, kombëtarja e Italisë ka treguar se pas një kohe shumë të gjatë e ka ndryshuar sistemin e saj të lojës, ndërkaq kombëtarja e Spanjës e ka ruajtur konceptin e vjetër të lojës së saj.

“Italia e ka marrë guximin që të luajë vetëm me tre futbollistë në vijën e fundit, mirëpo gjithmonë duke e ditur që të dy anësorët nga mesfushorët janë bashkangjitur në vijën e fundit. Por, kanë qenë edhe dy të tjerë, të cilët çdo herë i kanë ndihmuar mesfushës dhe vijës së parë të sulmit, i cili ka qenë mjaft efektiv”.

“Në anë tjetër, spanjollët i kemi ata të vjetrit, të cilët pa e ndërruar shumë konceptin e lojës 4-3-3 kanë arritur në finale, edhe pse shumë të kritikuar që në disa takime kanë luajtur pa sulmues tipik. Mirëpo, kanë një lëvizshmëri të madhe në lojë dhe bëjnë transformime të shpejta prej vijës në vijë”
, vlerëson Morina.

Ndërkaq, gazetarët kosovarë japin mendime të ndryshme lidhur me atë se çfarë do të jenë rrjedhat, por edhe rezultati, në takimi final të “Euro 2012”.

Shaip Mustafa, gazetar në Radio Kosova, thotë se të dyja kombëtaret, të Spanjës dhe Italisë, e kanë merituar të jenë në takimin final dhe se gjasat për kampion i kanë të barabarta.

“Për mua, Spanja ka një përparësi, për shkak se ka një lojë më të shtrirë në terren. E ka një mesfushë shumë më të fortë se Italia. Megjithatë, duke parë se italianët në dy-tri ndeshjet e fundit kanë përparuar dhe kanë bërë një lojë shumë të mirë, atëherë edhe finalja-siç ishte edhe gjysmëfinalja me Gjermaninë, do të jetë shumë interesante. Do të jetë me gjasa 50 me 50 për qind për të dyja ekipet”, thotë Mustafa.

Arben Ahmeti, gazetar në të përditshmen Koha ditore, konsideron se, ndryshe nga kombëtarja italiane, kombëtarja spanjolle ka pasur fat që ka arritur në finale.

“Besoj që (Spanja) ka arritur me shumë fat. Sidomos, në përballje me Portugalinë, nuk ka qenë se ka treguar ndonjë fuqi, siç ka treguar në kampionatin botëror. Besoj që në finale do ta shohim këtë Spanjën e pamundësisë, e cila e qarkullon topin, por nuk mund ta dërgojë në portë. Ne po e shohim një Itali që po luan ndryshe prej herëve tjera dhe besoj që Italia do të jetë kampione”, vlerëson Ahmeti.

Por, Fidan Rama, gazetar i Rradio Dukagjinit, shpreh mendimin se rezultati i ndeshjes finale të “Euro 2012” është i paparashikueshëm.

“Finalja e 1 korrikut, pra, të dielën, do të jetë një ndeshje e madhe. Është e paparashikueshme për dy arsye, sepse janë dy skuadra që kanë shfaqur futboll mjaft të bukur, por edhe kemi parë që në fazën e grupeve kanë barazuar, do të thotë, një me një”.

“Unë, megjithëse jam tifoz i Italisë... po shpresoj që Italia do ta fitojë këtë ndeshje. Por, sidoqoftë, e shoh se do të ketë vështirësi, për shkak se spanjollët, e kemi parë edhe në ndeshjen gjysmëfinale ndaj Portugalisë, kanë lojtarë që mund të luajnë edhe në vazhdime, por kanë lojtarë që edhe mund ta vendosin ndeshjen në penallti”, shprehet Rama.

Të paparashikueshëm rezultatin e vlerëson edhe trajneri Arbnor Morina. Megjithatë, ai parashikon që kombëtarja italiane do ta aplikojë taktikën e bllokimin të lojtarëve spanjollë, në mes të fushës dhe t’i ndërpresë pasimet e shkurtra dhe të shpejta, që janë karakteristike për skuadrën spanjolle, si dhe të shfrytëzojë kundërsulmet.

“Italianët, në anën tjetër, do të mundohen që ta shfrytëzojnë forcën dhe shpejtësinë e Balotellit dhe kthjelltësinë e Kasanos për të shënuar ndonjë gol dhe për ta realizuar ëndrrën që të bëhen kampion evropian”.

“Mendoj që spanjollët nuk do të ndryshojnë asgjë në lojën e tyre 4-3-3, mirëpo mund të ndodhë që të shihet se - pasi që është loja e fundit - a do të jetë ndonjë sulmues tipik, i cili do të shpërthejë në mes të mbrojtjes së italianëve apo përsëri do të jenë mesfushorët ata, të cilët do ta kombinojnë lojën, që duhet të japë fryt. Mendoj që, marrë në përgjithësi, do të jetë një ‘derbi’ shumë i madh, një finale shumë e madhe dhe mendoj që të dyja palët i kanë adutët e tyre për t’u gëzuar në fund të takimit”, thekson Morina.

Ndryshe, Kampionati evropian i Futbollit “Euro 2012”, ka nisur më 8 qershor dhe përfundon më 1 korrik, me ndeshjen finale.

Në këtë kampionat kanë marrë pjesë 16 kombëtare, të cilat kanë qenë të kualifikuara për “Euro 2012”.

Kampione aktuale, nga kampionati i kaluar evropian, është Spanja, e cila do të tentojë ta mbrojë këtë titull nga finalisti tjetër Italia.
XS
SM
MD
LG