Ndërlidhjet

Fundi i Mbikëqyrjes


Harta e Kosovës

Harta e Kosovës

Grupi Ndërkombëtar Drejtues në takimin e mbajtur në Vjenë ka vendosur që t’i jap fund fazës së mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës. Në këtë grup bëjnë pjesë Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vendet e BE-së që e kanë njohur Kosovën si dhe Turqia. Nga Kosova, në takim ka marrë pjesë kryeministri i Kosovës, Hashim Thaçi.

Nikoqiri i takimit, ministri i Jashtëm i Austrisë Mihael Shpindeleger ka thënë se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën.

Nga dita e sotme, Kosovës po i hiqet mbikëqyrja ndërkombëtare, kurse mandati i ICO-së (Zyrës Civile Ndërkombëtare) pushon në shtator, ka thënë ministri austriak.

Ai ka shprehur kënaqësinë e tij se Vjena është vendi ku u hartua dhe aprovua Plani i Ahtisarit për shpalljen e pavarësisë së Kosovës dhe po në këtë qytet tash po vendoset fundi i mbikëqyrjes së kësaj pavarësie.

Ne e dimë se Kosova do të ballafaqohet me shumë sfida dhe do të duhet të kryejë shumë detyra të shtëpisë, por e dimë po ashtu se ka bërë një punë të mrekullueshme këto vitet e fundit”, tha ministri austriak, duke shpresuar se Kosova një ditë do të jetë pjesë e strukturave të integruara të Evropës.

Në anën tjetër, shefi i ICO-së, Piter Feith ka deklaruar se Kosova ka bërë shumë përparime këto vitet e fundit.

Ndërsa ka lavdëruar përpjekjet për hapjen e Zyrës Administrative në veri, Feith ka inkurajuar institucionet e Kosovës që në ditët në vijim t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore- kushtetuese në mënyrë që të bëhet kalimi i kompetencave dhe përgjegjësive nga zyra e tij tek autoritetet vendase.

Nga Plani i Ahtisarit, sfidat e papërmbushura kanë mbetur në veri të Kosovës. Feith me këtë rast ka përmendur tri parime mbi të cilat do të gjendet zgjidhja politike për atë pjesë.

Zgjidhja politike për veriun do të bazohet në tri parime: Nuk ka dhunë, nuk ka ndarje, pra veriu do të mbetet i Kosovës dhe parimi i tretë se veriu nuk do të mbetet konflikt i ngrirë”, ka thënë Feith.

Në anën tjetër kryeministri Hashim Thaçi tha se kjo paraqet një ditë historike për Kosovën për të cilën ai tha se meritat i ndajnë së bashku institucionet e Kosovës dhe komuniteti ndërkombëtar.

Edhe kryeministri i Kosovës u shpreh i vetëdijshëm se sfidat që mbeten, kryesisht kanë të bëjnë me veriun e Kosovës, sundimin e ligjit, zhvillimin ekonomik dhe reformat demokratike, për të cilat ai është zotuar se Kosova po punon në avancimin e tyre.

"Unë jam i vetëdijshëm se ne duhet të forcojmë sundimin e ligjit dhe të rrisim mirëbesimin e qytetarëve tanë. Ne duhet të rrisim nivelin e bashkëpunimit ekonomik. Për më tepër, unë dua të ritheksoj zotimin tonë për ta rritur përfshirjen tonë në raport me të gjitha komunitetet në Kosovë, e në mënyrë të veçantë me serbët që jetojnë në veri të vendit, të cilët e meritojnë t’i gëzojnë të gjitha të drejtat që janë të përcaktuara me Planin e Ahtisarit dhe me ligjet e Kushtetutën e Kosovës”, është shprehur Thaçi.

Edhe pas vendimit për t’i dhënë fund mbikëqyrjes ndërkombëtare, Bashkimi Evropian do ta vazhdojë praninë e vet në Kosovë, përmes misionit për polici dhe sundim të ligjit - EULEX, përderisa do të vazhdon edhe prania e forcave paqeruajtëse të KFOR-it, që udhëhiqet nga NATO-ja.

Kryeministri Hashim Thaçi është zotuar se institucionet e Kosovës do t’i sigurojnë EULEX-it bazën adekuate ligjore për vazhdimin e mandatit.

Ne jemi të zotuar që të gjejmë bazën adekuate ligjore për të mundësuar vazhdimin e mandatit të misionit të EULEX-it, duke përfshirë edhe kompetencat ekzekutive të tij deri në qershor të vitit 2014”.

Mbikëqyrja ndërkombëtare e pavarësisë ishte një vendim i përbashkët i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, vendeve të Bashkimit Evropian që e njohën shtetin e Kosovës dhe Turqisë, për të parë nga afër zbatimin e obligimeve që kishte marrë Kosova me Pakon e Ahtisarit për respektimin e komuniteteve pakicë, sidomos komunitetit serb.

Njëherësh, kjo fazë, ishte menduar se do ta ndihmonte Kosovën në rrumbullakimin e procesit të njohjeve ndërkombëtare dhe afirmimit të shtetit më të ri evropian.

Pas vendimit të sotëm, institucioneve të Kosovës u mbetet që t’i bëjnë ndryshimet e nevojshme ligjore e kushtetuese për marrjen e përgjegjësive nga Zyra Civile Ndërkombëtare para mesit të shtatorit të këtij viti.
  • 16x9 Image

    Zijadin Gashi

    Zijadin Gashi, i lindur më 1973 në Prishtinë. Me gazetari ka filluar të merret që nga viti 1997, duke u angazhuar fillimisht nëpër mediat lokale. Si korrespondent i Radios Evropa e Lirë punon që nga maji i vitit 2001. Kryesisht ka mbuluar aktualitetin politik në Kosovë.

    Nga 1 shkurti 2016, është emëruar shef i Byrosë së Radios Evropa e Lirë, në Prishtinë. Ai është i martuar dhe ka 3 fëmijë.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG