Ndërlidhjet

Enrike Nieto, fiton zgjedhjet presidenciale në Meksikë

  • RFE /RL

Enrike Pena Nieto

Enrike Pena Nieto


Enrike Pena Nieto, kandidati i Partisë Revolucionare Institucionale (PRI) është zgjedhur president i Meksikës, duke marrë rreth 38 për qind të votave së zgjedhjeve, që u mbajtën të dielën.

Fitorja i hap rrugën PRI-së së Meksikës, e cila gëzonte qëndrimin në pushtet për shtatë dekada në sistemin njëpartiak, që të kthehet përsëri në pushtet pas 12 vjetësh mungesë.

Majtisti Andres Manuel Lopez Obrador ka fituar 31 për qind të votave, ndërsa Jozefina Vaskez Mota, e partisë në pushtet, Partisë Kombëtare për Veprim (PAN) ka marrë 25 për qind.

Nieto, duke folur pas shpalljes së rezultateve preliminare, u zotua, se do të jetë president i të gjithë meksikanëve.

Unë e marr, me emocion, me angazhim të madh, me përgjegjësi të plotë, mandatin që ma dhanë sot meksikanët. Në tre muajt e fundit, politikanët, kandidatët kanë folur çdo ditë. Sot, më 1 korrik, folën qytetarët dhe këtë e bënë me qartësi absolute, kur votuan për ndryshim”, tha Nieto.

Në selinë e partisë së tij në Meksiko City, shpërtheu atmosferë me mbështetësit e veshur kuq, që vallëzonin me muzikë festive. Mbështetësi i Nietos, Jezus Aguila, duke folur për Reuters tha:

“(PRI) është partia e vetme që ka treguar se mund të rimëkëmbë vendin dhe se mund ta lëvizë ekonominë përpara. Kjo është një PRI e re, kjo është një PRI me forcë të re, kjo është një PRI që nuk do të bëjë të njëjtat gabime si në të kaluarën, sepse ky do të jetë shansi i tyre i fundit”, tha Aguila.

Presidenti në largim Felipe Kalderon e uroi Nieton dhe premtoi se do ta ndihmojë në kalimin e përgjegjësive, para ceremonisë së inaugurimit që mbahet në dhjetor.

Enrike Pena Nieto është presidenti i zgjedhur dhe nga 1 dhjetor ai do të jetë presidenti i ardhshëm i Meksikës. Unë do të doja ta përgëzoj sinqerisht dhe ta siguroj atë se qeveria ime është absolutisht në dispozicion për të bashkëpunuar me ekipin e tij, për të garantuar se ndryshimi në administratë do të jetë i rregullt, transparent dhe efikas”, tha Kalderon.

Presidenti në largim Felipe Kalderon dhe Partia për Veprim Kombëtar e tij, ka humbur mbështetjen e popullit më së shumti për shkak të dhunës në luftën ndaj drogës, që la të vrarë mbi 50 mijë njerëz që nga viti 2006.

Fushata u dominua nga shqetësimet rreth varfërisë dhe luftës së përgjakshme ndaj drogës, e lansuar nga Kalderoni 6 vjet më parë.

Duke folur në lidhje me shqetësimet për rendin dhe ligjin, Nieto ka premtuar se “nuk do të ketë asnjë pakt, e as armëpushim me krimin e organizuar.”

Gjatë fushatës, Nieto është përballur me akuza nga kundërshtarët e tij se ai ka kapërcyer kufirin e dhënë për shpenzimet në fushatën zgjedhore në vlerë prej 330 milionë dollarësh. Gjiganti televiziv i Meksikës, Televisa, u kritikua se ka bërë një mbulim të padrejtë, duke i dhënë më shumë hapësirë Nietos.

Përpjekjet për t'i dhënë fund varfërisë kronike të Meksikës, ishin gjithashtu një komponentë kryesore e fushatës. Rreth 47 për qind e 112 milionë banorëve të Meksikës janë të varfër.

Papunësia mbetet në nivel të ulët, afërsisht 4.5 për qind, por ekziston një ndarje e madhe në mes të pakicës së pasur dhe pjesës tjetër të varfër. (a.i.)
XS
SM
MD
LG