Ndërlidhjet

logo-print

Irani tregon “fuqinë” me ushtrime


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Irani paralajmëroi zbatimin e ushtrimeve ushtarake në tri ditët e ardhshme për të ritheksuar fuqinë e Republikës Islamike karshi presionit të shtuar të fuqive perëndimore lidhur me programin bërthamor të këtij vendi.

Zyrtarët thanë se gjatë ushtrimeve, që nisin të hënën në shkretëtirën e Iranit, do të përdoren raketat sipërfaqësore, një pjesë e të cilave mund të arrijnë deri në Izrael dhe jug të Evropës.

Anëtarë të Gardës Revolucionare thanë se ushtrimet do të demonstrojnë kapacitetin e Iranit për t’u përballur me ndonjë veprim armiqësor të shteteve të tjera.

Ushtrimet vijnë një ditë pas hyrjes në fuqi të embargos së Bashkimit Evropian ndaj importit të naftës së papërpunuar nga Irani.

Vendimi ishte marrë si masë ndëshkuese ndaj Teheranit lidhur me dyshimet për qëllimin e programit të tij bërthamor- akuza këto që vazhdojnë të hidhen poshtë nga zyrtarët iranianë.
XS
SM
MD
LG