Ndërlidhjet

Komorovski: Euro 2012 – fitore për Poloninë dhe Ukrainën


Fitorja e Spanjës...
Fitorja e Spanjës...
Me fitoren e së dielës kundër Italisë, me rezultat 4:0, Spanja u bë seleksioni i parë i futbollit që me radhë i fitoi tre tituj të kampionit: dy evropianë dhe një botëror.

Futbollistët e Spanjës dominuan në pjesën më të madhe të lojës kundër Italisë, duke sulmuar nga prapavija dhe arritën ta fitojnë titullin më bindës deri tash.

David Silva i Spanjës shënoi së pari në minutën 14, ndërsa Xhordi Alba e ngriti rezultatin në 2:0, në minutën e 41, dhe ky ishte rezultati i pjesës së parë.

Në gjysmë-lojën e dytë, ishte Fernando Torres ai që e tundi rrjetën e italianëve për të tretën herë në minutën 84, ndërsa rezultatin përfundimtra 4:0 e arriti Huan Mata me golin e tij në minutën e 88-të.

Menjëherë pasi përfundoi finalja, kryetari i Federatës Evropiane të Futbollit (UEFA), Mishel Pllatini, ia dorëzoi ekipit fitues spanjoll trofeun e UEFA-s.

Kjo i entuziazmoi simpatizuesit e shumtë spanjollë që gjendeshin në stadiumin e Kievit në Ukrainë.

Kombëtarja e Spanjës, që ishte kritikuar për futboll të kujdesshëm në takimet e mëparshme të kampionatit evropian, e zhvilloi një lojë pothuajse magjike kundër Italisë në finale.

Kështu Spanja u bë ekipi i parë që tri herë radhazi i fitoi titujt më prestigjioz në futboll: në vitin 2008 – kampion evropian, në 2010, kampion botëror dhe tash në 2012 – e mbron titullin e kampionit evropian.

Futbollisti i Spanjës, Andres Iniesta, arriti edhe një sukses, pasi UEFA e shpalli atë lojtarin më të mirë të kampionatit.

Nga ana tjetër, Italia, që barazoi 1:1 me Spanjën në garat e grupeve në këtë kampionat, dhe befasoi duke u kualifikuar në finale, pas fitores kundër Gjermanisë me rezultat 2:1, në gjysmëfinale, dështoi që ta fitoj titullin e kampionait evropian në 44 vitet e fundit. Titullin e kampionit evropian për herë të fundit e kishte fituar në vitin 1968.

Presidenti i Federatës Evropiane të Futbollit, Mishel Pllatini, i ka lavdëruar vendet mikpritëse të kampionatit Euro 2012, Ukrainën dhe Poloninë, duke thënë se të dy shtetet e organizuan një “turne fantastik”.

Presidenti i Ukrainës, Viktor Janukoviq, në një konferencë për shtyp së bashku me presidentin e Polonisë, Bronisllav Komorovski, tha se të dy vendet kanë fituar përvojë të madhe nga organizimi i përbashkët i kampionatit.

Jam i sigurt se përvoja e fituar do të jetë e dobishme në të ardhmen për të gjetur mundësi për bashkimin e përpjekjeve për të arritur rezultate pozitive”, tha Viktor Janukoviq.

Nga ana tjetër, presidenti polak, Bronisllav Komorovski, tha se turneu Euro 2012, ishte fitore për të dy vendet.

Megjithëqë as ekipi i Polonisë e as ai i Ukrainës nuk luajtën në finale, një gjë është e sigurt: Euro 2012 është fitore për Poloninë dhe Ukrainën”, tha presidenti i Polonisë, Bronislav Komorovski.

Megjithatë, burgosja e ish kryeministres së Ukrainës, Julia Timoshenko, i ka hedhur një hije të zezë organizimit të turneut në Ukrainë, pasi shumë politikanë të Bashkimit Evropian e bojkotuan kampionatin. (f. b.)
XS
SM
MD
LG