Ndërlidhjet

Kuvendi kthen në procedurë heqjen e neneve 37, 38 dhe 39


Kuvendi i Kosovës
Kuvendi i Kosovës

Kuvendit i Kosovës pritet që të diskutojë serish projektligjin për shfuqizimin e nenit 37, 38 dhe 39 të Kodit Penal.

Komisioni për legjislacion në Kuvendin e Kosovës, pas propozimit nga deputetët e Partisë Demokratike të Kosovës, ka vendosur që në seancën e radhës në Kuvend të dërgohet për debat Kodi Penal.

Kryetari i komisionin për legjislacion, Arben Gashi tha se pavarësisht pajtimit që ky dokument të kthehet në Kuvend, nuk do të thotë se do të hiqen nenet që kanë të bëjnë me mediat.

"Kjo nuk do të thotë se ne po marrim vendim që të enjten e ardhshme, kurdo që të jetë seanca, që nenet janë hequr. Do të thotë, që në parim kemi rënë dakord që të diskutohen nenet 37, 38, 39, pra propozimi është që të hiqen. Mirëpo, se çka vendosë procedua, nuk i dihet deri në fund. Jemi ne procedurë normale të ligjvënies”, tha Gashi.

Kryetari i Kuvendi të Kosovës Jakup Krasniqi, pas mbledhjes së kryesisë, deklaroi se veç tjerash, në takim është diskutuar edhe për Kodin Penal, që sipas tij, heqja e neneve ose jo, varet nga deputetët.

Për këtë çështje vendos seanca. Nëse seanca vendos për, ajo do të miratohen në parim”, tha Krasniqi.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar për dy herë radhazi që të heqë nga Kodi Penal nenet 37, 38 si edhe atë 39, që kanë të bëjnë me mediat dhe ndjekjen penale ndaj gazetarëve.

Ndryshe, gjatë mbledhjes së Komisionit për Legjislacion, deputetët e partisë në pushtet dhe ata të opozitës, kanë shkëmbyer kritika të ndërsjella lidhur me rishqyrtimin e kodit.

Deputeti Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës, kritikoi qeverinë dhe PDK-në, duke thënë se “lojërat e kësaj qeverie duhet të përfundojnë njëherë e përgjithmonë”.

Arsyeja pse unë e përkraha që ky ligj të futet jashtë rendit të ditës në komision dhe që të shkojë në seance plenare është pikërisht që lojërat e partisë në pushtet të përfundojnë këtu, dhe ky ligj mos të jetë temë e trajtimit dhe debateve. Prandaj mendoj se kemi punë shumë më të mençura në Kuvend se sa të merremi me tri nene kontestuese”, tha Zemaj.

Kurse, anëtari i komisionit për legjislacion nga radhët e PDK-së Halit Krasniqi ka hedhur poshtë kritikat e deputetit Zemaj, duke thënë se që ne fillim të gjithë kanë qenë kundër heqjes së neneve.

Ky qëndrim nuk ka qenë qëndrim i yni personal, por ka qenë rekomandim i kryetarit tonë të partisë, që ka thënë se ky qëndrim duhet të mbahet dhe këto ndryshime duhet të bëhen. Dhe këto ndryshime i kemi transmetuar në grupin punues”, tha deputeti Krasniqi.

Kurse deputeti i AAK-së, Ardian Gjini u shpreh

Nuk mundet Grupi Parlamentar i PDK-së vetë t’i lë, e vetë t’i heqë, edhe të na thotë se po bëjmë mirë. Kanë të drejtë edhe grupet parlamentare tjera t’i thonë ‘ju se ju i latë, dy herë i votuat’. Vetë po propozoni t’i largoni, edhe po na thoni pse jeni kundër, nuk jemi kundër, po duam t’i heqim, por po duam ta shënojmë se kështu është e vërteta”, tha Gjini.

Përfaqësuesja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, anëtare e këtij komisioni, ka abstenuar në votim për ta dërguar ligjin në debat të sërishëm në Kuvend.

Ajo me këtë rast është shprehur se subjekti të cilit i takon, nuk është i interesuar të jetë pjese e saj, që ajo e quajti “lojë e pushtetit”.

Ne nuk dëshirojmë në asnjë mënyrë të bëhemi pjesë e këtyre lojërave të pushtetit dhe pjesë e shkeljeve të vazhdueshme që po i bën ky pushtet”, tha Haxhiu.

Lëvizja Vetëvendosje tash me ka dorëzuar Kodin Penal në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, nga e cila kërkon interpretim lidhur me nenet kontestuese.

Kodi Penal i ri i Kosovës është miratuar në Kuvendin e Kosovës më 22 qershor, ndërsa për shkak të mosndryshimit të neneve kundërthënëse, ka dhënë dorëheqje ministri i drejtësisë Hajredin Kuçi.

Nenet 37, 38 dhe 39 janë kundërshtuar ashpër edhe nga organizatat e gazetarëve si nga vendi ashtu edhe ato ndërkombëtare.
XS
SM
MD
LG