Ndërlidhjet

Opozita e ndarë siriane vazhdon bisedimet


Siri...
Siri...
Anëtarët e opozitës së ndarë të Sirisë po takohen për të dytën ditë me radhë në bisedimet që kanë për qëllim formimin e një pozicioni të përbashkët mbi tranzicionin politik në vendin e shkatërruar nga konflikti.

Në takimin në Kajro, të organizuar nga Liga Arabe, Turqia dhe shtetet arabe i kërkuan opozitës siriane krijimin e një alternative të besueshme kundrejt qeverisë së presidentit Bashar al Asad.

Konferenca në të cilën morën pjesë rreth 200 personalitete të opozitës, është bojkotuar nga Armata e Lirë Siriane, e cila po udhëheq luftën e armatosur kundër forcave të Asadit.

Kryengritësit e kësaj force kanë kundërshtuar projekt-planin e fuqive botërore, të bërë publik në fundjavën e kaluar, për një tranzicion politik në Siri, në të cilin mund të përfshihen anëtarët aktual të regjimit.

Konferenca e Kajros ka pësuar një prapakthim të martën, kur Komisioni i Përgjithshëm Revolusionar Sirian u tërhoq nga bisedimet, duke iu referuar “kontesteve” politike.

Takimi është mbajtur, derisa Human Rights Watch publikoi një raport ku janë detajizuar torturat dhe keqtrajtimet që forcat qeveritare po iu bëjnë civilëve.

Grupi me seli në Nju Jork tha se torturat në Siri përbëjnë një krim kundër njerëzimit dhe duhet të përndiqen nga Gjykata Ndërkombëtare Penale.

Autoritetet e Sirisë po udhëheqin një rrjet të qendrave të torturave, një rrjet të dhomave të torturave të shpërndarë në tërë Sirinë. Përhapja dhe natyra sistematike e këtij rrjeti përbën një krim kundër njerëzimit”, tha Ole Solvang, një hulumtues në Human Rights Watch.

Raporti i Human Rights Watch iu bën jehonë komenteve të komisioneres së lartë të OKB-së, Navi Pillaj, e cila të hënën përsëriti thirrjen që Gjykata Ndërkombëtare Penale të hetojë vrasjet në Siri.

Sipas mendimit tim, sikurse forcat e armatosura qeveritare ashtu dhe opozita e armatosur kanë qenë të përfshirë në veprimet kundër civilëve. Ata që janë përgjegjës për sulmet ndaj civilëve duhet të japin llogari”, tha Pilaj pas raportimit në Këshillin 15 anëtarësh të Sigurimit në Nju Jork.

Ajo tha se armata siriane po kryen shkelje “serioze” të të drejtave të njeriut përfshirë dhunimet dhe sulmet në spitale, derisa forcat opozitare vazhdimisht po i ekzekutojnë bashkëpunëtorët e dyshuar të qeverisë.

Ajo po ashtu denoncoi rrjedhjen e armëve në Siri, duke paralajmëruar kundër “militarizimit të mëtejmë” të konfliktit.

Pillaj nuk saktësoi se prej nga vijnë armët, edhe pse Rusia dhe Irani, mbeten furnizuesit më të mëdhenj të qeverisë.

Katari dhe Arabia Saudite besohet se i kanë shpërndarë armë opozitës.

Shtetet e Bashkuara thanë se po furnizojnë vetëm më pajisje “jovdekjeprurëse” kryengritësit sirianë.

Dhuna në Siri ka vazhduar të marrë jetë në këtë javë, ku armata po vazhdon bombardimet e zonave të kryengritësve në qendër të qytetit Holms.

Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut tha se të paktën 30 njerëz kanë vdekur të hënën përgjatë tërë vendit.

Grupi ka çuar shifrën e të vdekurve në konflikt në 16 mijë e 500 që kur nisi kryengritja kundër Asadit në mars të vitit të kaluar.

Regjimi i Asadit po ashtu është kritikuar se ka rrëzuar një aeroplan turk në muajin e kaluar, duke shkaktuar zemërimin e Ankarasë.

Në një intervistë për gazetën turke "Cumhuriyet" të botuar sot, Asad tha se forcat siriane mësuan se aeroplani vëzhgues ishte i Turqisë vetëm pasi që e kishin qëlluar.

Ai i tha "Cumhuriyet" se shpreh keqardhje të “qindpërqindtë” për incidentin.(a.i.)
XS
SM
MD
LG