Ndërlidhjet

Dell: Kosova më ka hyrë në zemër


Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell

Ambasadori amerikan në Kosovë, Kristofer Dell

“Kosova më ka hyrë në zemër dhe unë admiroj gjithë atë që keni arritur”, ka deklaruar ambasadori amerikan në Prishtinë Kristofer Dell në një pritje të organizuar për 236 vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Në pritje, ishin ftuar përfaqësuesit më të lartë të institucioneve të Kosovës dhe ata të pranisë ndërkombëtare.

Me këtë rast, Dell tha se Shtetet e Bashkuara gëzimet e tilla i ndajnë zakonisht me miq, ndër të cilët janë edhe kosovarët.

“Gjatë kësaj kohe, Kosova më ka hyrë në zemër dhe unë admiroj gjithë atë që keni arritur. Shpresoj që pas 200 vjetëve, historia do të tregojë se të gjithë këtu ishin pjesë e të shkruarit të historisë që mundësoi themelet e forta për një Kosovë demokratike e plot jetë, e cila shërben si pishtar i lirisë në Ballkan”, ka thënë ambasadori Dell, i cili pas pesë vitesh është në fund të mandatit të tij si ambasador i SHBA-së në Prishtinë.

“Me 2 korrik 1776, në një ditë përcëlluese në Filadelfia, Kongresi i dytë kontinental votoi për të miratuar Deklaratën e Pavarësisë nga Britania. Me 2 korrik 2012 në ditën më të nxehtë të matur ndonjëherë në Vjenë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar votoi për të miratuar fundin e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës”, tha në fjalimin e tij Dell.

”Ka qenë nder për t`i shërbyer vendit tim në vendin tuaj. Kjo mund të jetë mundësia ime e fundit për t’ju përshëndetur si ambasador,” theksoi ambasadori amerikan.

Si zakonisht, ai ndau lutjet e tij për dy vendet mike duke thënë: “Zoti e bekoftë Kosovën dhe Zoti e bekoftë Amerikën”.

Në emër të institucioneve të Kosovës në këtë pritje ka folur presidentja Atifete Jahjaga.

“Idealin amerikan se liria nuk sëhtë zgjedhje, por një e drejtë e pa mohueshme, askush nuk mund ta kuptojë më mirë se populli i Kosovës” , ka deklaruar Jahjaga.

Ajo ka falënderuar edhe njëherë SHBA-të për mbështetjen e vazhdueshme që i jep Kosovës, kurse ambasadorit Dell iu drejtua me zemërgjerësi, se ai është i mirëseardhur gjithmonë në Kosovë.

Për nder të 4 Korrikut, Ditës së Pavarësisë së SHBA-së, nesër në Kosovë organizohen edhe disa aktivitete nga komunat dhe qytetarët e Kosovës.
XS
SM
MD
LG