Ndërlidhjet

logo-print

Kosova feston 4 Korrikun me Amerikën


Ilustrim

Ilustrim

Përvjetori i 236-të i pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të mërkurën shënohet edhe në Kosovë.

“Faleminderit Amerikë” është motoja, me të cilën Komuna e Prishtinës dhe Radio-Televizioni publik i Kosovës organizojnë koncertin dhe manifestimet kulturore, në shenjë të urimit dhe shprehjes së mirënjohjes së popullit të Kosovës ndaj Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Që nga mëngjesi, Sheshi Nëna Terezë në Prishtinë është dekoruar me flamujt amerikanë dhe të Kosovës, ndërkaq Vlora Dumoshi, drejtoreshë e Drejtorisë për Kulturë, Rini dhe Sport e Komunës së Prishtinës tha se shënimi i përvjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara tashmë është tradicional në Kosovë.

“Tashmë është bërë tradicionale që Kosova në tërësi, por edhe ne si Komunë e Prishtinës, organizojmë koncert, duke i falënderuar për punën dhe përkrahjen që Shtetet e Bashkuara të Amerikës i dhanë popullit tonë gjatë këtyre viteve. Gjatë luftës, sidomos, dhanë përkrahje të madhe, me numrin e madh të refugjatëve, të cilët i sistemuan në SHBA, por edhe pas luftës, me përkrahjen e pareshtur deri në ditët e sotme”, tha Dumoshi.

Dumoshi theksoi se në koncertin me moton “Faleminderit Amerikë”, i paraparë që të nisë në orën 20 në Sheshin Nëna Terezë, do të performojnë rreth 50 artistë kosovarë.

Në anën tjetër, shoqata “Miqtë e Amerikës, miqtë e Bill Klintonit”, me moton “100 vjet miqësi”, ka ndërmarrë një varg aktivitetesh në shenjë të shënimit të 4 Korrikut, përvjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara.

Drejtuesi i kësaj shoqate, Agim Rexhepi, tha se aktivitetet e shoqatës, të mbështetura edhe nga Forcat e Mbrojtjes së Kosovës, kanë nisur që në orët e paradites në sheshin “Bill Klinton” në Prishtinë, për të vazhduar edhe në qytetin e Skënderajt.

“Kemi filluar në mëngjes me shpërndarjen e një pankarte politike, ku janë pesë presidentë dhe ish-presidentë amerikanë dhe e cila pankartë është pritur jashtëzakonisht mirë nga masa. Kemi filluar pastaj manifestimin në orën 9:00. E kemi ndërruar flamurin amerikan, që është në kuadër të Sheshit Bill Klinton, afër shtatores së Bill Klintonit”.

“Faktikisht, dy qytetarë tanë që studiojnë në Miçigen, i kanë sjellë dy flamuj origjinalë dhe kam kënaqësinë të them se me vendosjen e flamurit nga pjesëtarët e FSK-së, i kemi dhënë një konotacion apo ngjyrim edhe institucional, por edhe njerëzor e kombëtar. Ndërsa, e kemi përfunduar në Skënderaj, në orën 11, me manifestimin kushtuar kësaj ngjarje”, bëri të ditur Rexhepi.

Ndryshe, ambasadori i Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovës, Kristofer Dell, në një pritje të organizuar për 236-vjetorin e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës, i përshëndeti qytetarët e Kosovës, duke potencuar se mbase kjo është përshëndetja e fundit e tij në cilësinë e ambasadorit në Kosovë.

Dell theksoi se në raste të tilla, sikurse festa e 4 Korrikut, Shtetet e Bashkuara gëzimet e tilla i ndajnë zakonisht me miq, ndër të cilët janë edhe kosovarët. Me këtë rast ai nuk e la pa e përmendur edhe fundin e mbikëqyrjes së pavarësisë së Kosovës.

“Më 2 Korrik 1776, në një ditë përcëlluese në Filadelfia, Kongresi i dytë kontinental votoi për të miratuar Deklaratën e Pavarësisë nga Britania. Më 2 korrik 2012 në ditën më të nxehtë të matur ndonjëherë në Vjenë, Grupi Drejtues Ndërkombëtar votoi për të miratuar fundin e mbikëqyrjes së Pavarësisë së Kosovës”, tha në fjalimin e tij ambasadori Dell.

Mesazhe urimi për Ditën e pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, kanë dërguar edhe krerët e institucioneve më të larta të Kosovës, të cilët i kanë falënderuar Shtetet e Bashkuara për mbështetjen që ia kanë dhënë dhe po ia japin Kosovës.
  • 16x9 Image

    Bekim Bislimi

    Bekim Bislimi ka lindur më 20. 03. 1968 në Vërban të Vitisë. Prej muajit dhjetor të vitit 2001 e deri më tash punon si korrespondent i Radios Evropa e Lirë, për shërbimin në gjuhën shqipe.

Trego komentet

XS
SM
MD
LG