Ndërlidhjet

Temperaturat e larta shtojnë numrin e pacientëve


Fotografi ilustruese

Fotografi ilustruese

Temperaturat e larta që po mbizotërojnë ditëve të fundit, kanë shtuar numrin e pacientëve që kërkojnë ndihmë mjekësore në qendrën emergjente në Prishtinë.

Basri Lenjani, nga qendra emergjente, thotë se gjatë ditës, ndihmë mjekësore kërkojnë rreth 150 pacientë.

Dy javët e fundit, numri i sëmurëve që kërkojnë ndihmë nga të nxehtët është shtuar më shumë se 5 për qind. Kategoria që më së shumti kërkojnë ndihmë janë ata të sëmurë nga zemra, veshkët, mushkëritë, si dhe të moshuarit dhe fëmijët. Ngritja e temperaturave te këta pacientë mund të ndikojë shumë në organizmin e tyre”, thotë Lenjani për Radion Evropa e Lirë.

Ai rekomandon se të gjithë të sëmurët kronikë të kenë kontakt të vazhdueshëm me mjekun familjar, të marrin këshilla, dhe t’i respektojnë ato për orarin e daljes në diell.

Të sëmurët me sëmundje kronike nuk duhet ekspozuar diellit nga ora 10 deri 17, dhe në këtë kohë të mbyllen në ambiente të freskëta. Pas kësaj periudhe, qytetarët mund të dalin, pasi që rrezet e diellit nuk janë të rrezikshme”.

Ndërkaq, Sylë Tahirsylaj, drejtor i institutit hidrometeorologjik, thotë se temperaturat që po mbizotërojnë në vendin tonë, kanë arritur deri në 34 gradë celsius.

Sipas tij, edhe pse në rajon ka arritur valë nxehtësie me temperatura që arrijnë deri në 40 gradë, ajo nuk do të vijë në Kosovë.

Temperaturat që po mbizotërojnë në vendin tonë, kanë arritur deri në 34 gradë celsius. Nuk ka shanse të depërtojnë masat ajrore që vijnë nga Afrika, dhe të mbretërojnë temperaturat mbi 38 gradë. Ndërkaq, nga e premtja do të bien temperaturat dhe do të ketë reshje shiu”, bën të ditur Tahirsylaj.

Ai thotë se pasuria natyrore të Kosovës me shumë pyje, nuk lejon që temperaturat të arrijnë mbi 40 gradë celsius.

Ndryshe, në pjesë të ndryshme të Kosovës, për shkak të temperaturave të larta, që nga muaji mars kanë filluar të digjen pyje e male.

Latif Zeka, komandant i brigadës së zjarrfikësve, thotë se në muaji mars kanë pasur rreth 180 shuarje zjarri, për shkak të temperaturave të larta derisa muaji qershor është shënuar më i qetë.

Në korrik ende nuk kanë filluar të digjen pyjet, por muaji mars ka qenë me shumë telashe. Ai muaj ka qenë i theksuar sa i përket djegies. Për shkak të nxehtësisë në muajin mars, kemi pasur 175 intervenime nga brigada jonë. Janë djegur kryesisht male, bari i thatë, pyje”, shprehet ai.

Ndryshe, sipas zyrtarëve në institutin hidrometeorologjik të Kosovës, nga e premtja, më 6 korrik, parashihet të ketë rënie të temperaturave, dhe reshje lokale shiu.
  • 16x9 Image

    Ariana Kasapolli - Selani

    Ariana Kasapolli - Selani ka lindur më 15.04.1980 në Prishtinë. Shkollimin fillor, të mesëm dhe universitar e ka ndjekur në Prishtinë, ku edhe ka diplomuar në Fakultetin e Gazetarisë. Si korrespondente e Radios Evropa e Lirë punon që nga viti 2009. Është e martuar dhe ka tre fëmijë.

XS
SM
MD
LG