Ndërlidhjet

OKB: Aktualizohet rasti Uaserstrom lidhur me UNMIK-un


Sekretari i përgjithshëm i OKB-së dhe Zyra Etike e kësaj organizate, kanë dështuar që në mënyrë adekuate ta rishqyrtojnë një hetim të brendshëm lidhur me pretendimet e personit Xhejms Uaserstrom, se kundër tij kishte ndodhur hakmarrje për shkak se kishte paraqitur dyshime për korrupsion në Misionin e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, ka njoftuar Tribunali i Konflikteve i Kombeve të Bashkuara.

Ky rast ka të bëjë me amerikanin Xhejms Uaserstrom, që në vitin 2007 në Zyrën Etike, ishte ankuar se kundër tij kishte pasur hakmarrje për shkak të raportimit të keqbërjes së dyshuar, derisa ishte shef i Zyrës së Kombeve të Bashkuara për Koordininim e mbikëqyrjes së Kompanive Publike në Kosovë, raporton agjencia Rojters.

Ai në atë kohë u kishte thënë Kombeve të Bashkuara se ishte i shqetësuar për qeverisjen e korporatave në Kosovë dhe pretendonte se ekzistonte mundësia e zhvillimit të skenave të mitos të ndërlidhura me termocentralin e propozuar dhe minierën, me involvim të politikanëve të lartë dhe të zyrtarëve të lartë të Kombeve të Bashkuara.

Agjencia Rojters mëtutje raporton se në vend që të mbrohet, zoti Uaserstrom pretendon se i ishte nënshtruar ndëshkimit, që filloi me mbylljen e zyrës së tij për mbikëqyrjen e shërbimeve publike në Kosovë, ndërsa kontrata e tij me Kombet e Bashkuara nuk ishte ripërtrirë.

Xhejms Uaserstrom tash është këshilltar i lartë anti-korrupsion në Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Kabul të Afganistanit.
XS
SM
MD
LG