Ndërlidhjet

logo-print

Parlamenti rumun diskuton fatin e presidentit të vendit


Trajan Basesku

Trajan Basesku

Mazhoranca qeverisëse në Rumani po hapë procedurat për suspendimin e presidentit, Trajan Basesku.

Ligjvënësit e së majtës, Bashkimit Liberalo-Social, kanë kërkuar një seancë të jashtëzakonshme të enjten dhe të premten për të diskutuar suspendimin e presidentit të qendrës së djathtë.

Në rast të miratimit nga parlamenti, suspendimi i Baseskut duhet të votohet në një referendum brenda 30 ditëve të ardhshme.

Kabineti i kryeministrit të së majtës, Viktor Ponta, ka lëshuar tashmë një dekret për t’ia pamundësuar Gjykatës Kushtetuese të vendosë mbi vendimet parlamentare duke ia hapur rrugën mazhorancës qeverisëse që për këtë ta akuzojë presidentin Basesku.

Gjykata ka mbushur një ankesë zyrtare drejtuar Komisionit të Venecias- trupit këshillues për çështje ligjore të Këshillit të Evropës.

Sikurse Bashkimi Evropian ashtu dhe Shtetet e Bashkuara kanë shprehur shqetësimet e thella për sulmet mbi demokracinë rumune.

Ambasadori amerikan në Rumani, Mark Gitenshtajn, tërhoqi vërejtjen për rëndësinë e institucioneve të fuqishme demokratike. Komentet për këtë çështje, ai i bëri të mërkurën gjatë një fjalimi me rastin e përvjetorit të pavarësisë së Shteteve të Bashkuara, ku mori pjesë edhe kryeministri Ponta.

Fuqia e këtyre institucioneve demokratike do të vendosë mbi përparimin tuaj dhe vullnetin e fëmijëve tuaj për të jetuar këtu”, u shpreh ai.

Gitenshtajn kishte theksuar se Uashingtoni dëshiron ta stabilizojë Rumaninë, vend në të cilin Shtetet e Bashkuara pritet të instalojnë pjesë të mburojës së tyre raketore.

Ish-komunistët social-demokratë të Pontas patën sukses në suspendimin nga pushteti të Baseskut në maj të vitit 2007, por ai u kthye në pushtet pas një referendumi që rezultoi dukshëm në mbështetje të tij.

Kjo mbështetje, megjithatë, thuhet se ka rënë në masë të madhe për shkak të masave shtrënguese financiare që Basesku dhe aleatët e tij futën në fuqi më 2010 në bashkëpunim me Bashkimin Evropian dhe Fondin Monetar Ndërkombëtar.

Qeveria e fundit e qendrës së djathtë kishte rënë në maj, pasuar nga një mocion votëbesimi, duke mundësuar ardhjen në pushtet të ish-komunistëve të Ponats dhe aleatit të tij liberal, PNL.

Krerët e qendrës së djathtë në të dy dhomat e parlamentit rumun ishin përjashtuar të martën nga puna-gjë që pasoi me reagimet e mediave të vendit, të cilat i cilësuan zhvillimet e fundit një “blitzkrieg” kundër demokracisë.

Të martën, Basesku tërhoqi një paralele ndërmjet ngjarjeve të fundit dhe veprimeve të qeverisë në shtypjen e opozitës më 1990 kur presidenti i atëhershëm, Ion Iliesku, dërgoi mijëra minatorë në Bukuresht për t'i sulmuar protestuesit pro-demokratik.

Basesku shprehu bindjen se qëllimi kryesor i suspendimit të tij është që qeveria të jetë në gjendje të marrë kontrollin mbi sistemin e drejtësisë pas arrestimit me akuzat mbi korrupsion të ish-kryeministrit, Adrian Natashe.

Njëri nga gazetarët rumunë, Robert Turcesku, i tha Radios Evropa e Lirë se pavarësia e gjyqësorit paraqet kërcënimin më të madh për politikanët e korruptuar të Rumanisë.

Arritja kryesore i disa viteve të fundit është pjesa më e rëndësishme e një demokracie-pavarësia e gjyqësorit, të cilit i është mundësuar të vetrregullohet në kuadër të kornizës së tij të punës”, tha ai.

Grupet për të drejtat e njeriut në Rumani i kanë dërguar një letër të hapur Komisionit Evropian në të cilën thuhet se sundimi i ligjit është nën një “sulm të paprecedent” nga Bashkimi Socialo-Liberal.

Turcesku, megjithatë, tha se rumunët duhet vet të ndërmarrin diçka në vend se të ankohen në arenën ndërkombëtare.

"Si qytetar dhe gazetar në këtë shtet, nuk dua që ta pres shpëtimin nga institucionet amerikane ose evropiane në kohën kur demokracia po del nga binarët në shtetin tim. Ajo që dua është një reagim i fuqishëm të shoqërisë civile”, theksoi ai.

Dhjetëra-qindra njerëz u mblodhën të mërkurën para objektit qeveritar me kërkesën për më shumë përpjekje në “shpëtimin e demokracisë”. (e.p.)
XS
SM
MD
LG