Ndërlidhjet

Mitrovicë: Kërkohet shtim i masave të sigurisë


Pamje e Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës

Pamje e Lagjes së Boshnjakëve në veri të Mitrovicës

Autoritetet komunale të Mitrovicës kërkojnë shtimin e masave të sigurisë në qytetin e trazuar verior në prag të hapjes së Zyrës Civile Administrative, si bërthamë e krijimit të komunës së re të Mitrovicës së veriut.

Drejtuesit e Komunës së Mitrovicës e kanë mirëpritur paralajmërimin se më 9 korrik do të hapet Zyra Administrative në veri, thuhet në një komunikatë për media të lëshuar nga Zyra për informim e komunës së Mitrovicës.

Nënkryetari i komunës, Riza Haziri, citohet të ketë thënë se hapja e asaj zyre do t’u mundësoj qytetarëve që t’i adresojnë shqetësimet e tyre në një vend adekuat dhe të përgjegjshëm.

Ndërkohë ai, ka kërkuar nga strukturat e sigurisë që të marrin masa adekuate në mënyrë që të mos ketë probleme nga grupet ekstremiste.

Këto komente, ai i ka bërë të premten në një takim të jashtëzakonshëm të Komitetit për Siguri në Mitrovicë, të thirrur pikërisht për të koordinuar veprimet dhe qëndrimet para hapjes së asaj zyre.

“Presim që strukturat e sigurisë të jenë në nivel të detyrës në mënyrë që të shmanget incidentet e mundshme”.

Ai përmendi edhe shqetësimin e banorëve shqiptarë të veriut për stafin që është pranuar në atë zyre.

“Shqiptarët që jetojnë në veri janë të frustruar për numrin simbolik të shqiptarëve, që janë pranuar në atë zyre, të cilët frikësohen se interesat e tyre nuk do të mbrohen si duhet”, ka thënë ai.

Lidhur me Zyrën Administrative në veri, komandanti i stacionit policor në jug, Avni Zabeli, tha se aty policia është e pranishme 24 orë.

“Para disa ditësh ka pasur një incident, kur është shtënë me armë zjarri në drejtim të patrullës policore, por për fat nuk ka pasur të lënduar”, ka theksuar Zabeli.

Për të mbajtur një gjendje stabile e të qetë, autoritetet policore në veri kanë kërkuar që të ketë koordinim dhe bashkëpunim me EULEX-in.

Hapja e Zyrës administrative në veri është kundërshtuar ashpër nga strukturat paralele serbe në veri, të cilat e kanë parë këtë vendim të Qeverisë së Kosovës si hap drejt shtrirjes së autoritetit të shtetit të Kosovës në veri.
XS
SM
MD
LG